Statujë 1.800-vjeçare e një gruaje gjendet në Turqinë perëndimore

Departamenti i Gërmimeve i Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit tha se statuja u gjet në qytetin antik Metropolis që ndodhet në rrethin Torbali të Izmirit

Një statujë 1.800-vjeçare e një gruaje u zbulua në provincën perëndimore të Izmirit në Turqi, njoftuan zyrtarët turq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Twitter, Departamenti i Gërmimeve i Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit tha se statuja u gjet në qytetin antik Metropolis që ndodhet në rrethin Torbali të Izmirit.

“Gërmimet tona do të vazhdojnë në vitin 2021”, thuhet në njoftim.

Institucioni po ashtu shpërndau një video 39-sekondëshe që tregon procesin e nxjerrjes së statujës antike.

Qyteti antik Metropolis ndodhet 40 kilometra larg nga qyteti perëndimor turk i Izmirit dhe 45 kilometra nga qyteti antik i njohur botërisht, Efes.

Vendi, i cili mban gjurmë të periudhave klasike, helenistike, romake, bizantine dhe osmane, ka qenë pjesë e gërmimeve për vite në kuadër të një projekti të kryer së bashku nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Universiteti Celal Bayar.

Kategoritë
BotaLajme