Stoltenberg: Duhet të jemi realistë, lufta mund të zgjasë me vite!

Ministrat e Jashtëm dhe aleatët e NATO-s do takohen sot dhe nesër (7-8 prill) për të diskutuar masat e mëtejshme të mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Sekretari i Përgjithshëm  Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin për qëllimin e Putinit për të lëvizur forcat nga veriu i Ukrainës në mënyrë që t’i rigrupojë dhe t’i furnizojë ato e t’i dërgojë në lindje, ku pritet një ofensivë e madhe.

Stoltenberg tha: Ne duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se kjo mund të zgjasë për një kohë të gjatë, për shumë muaj, madje dhe vite. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të përgatitur për afat të gjatë, si për të mbështetur Ukrainën ashtu edhe për të forcuar mbrojtjen tonë.

Edhe ministri i jashtëm ukrainas do t’i bashkohet takimit personalisht në Bruksel, ku pritet të kërkojë më shumë pajisje kundërajrore. Kjo pajisje ishte premtuar tashmë, por nuk u dorëzua.

Aleatët duhet të vendosin të ofrojnë më shumë armë antitank, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera, si dhe të rrisin ndihmën humanitare dhe ndihmën financiare

Deri ku mund të shkojë kjo luftë dhe si do të jetë Europa në fund të fundit?

Michael Kimmage, Profesor i Historisë në Universitetin Katolik të Amerikës tha: Unë mendoj se një Luftë e Re e Ftohtë është një parashikim i arsyeshëm i asaj që pritet të ndodhë në Evropë. Besoj se kjo situatë do të zgjasë aq sa zgjati Lufta e Ftohtë. Tashmë gjithçka do të përcaktohet në kushtet e konkurrencës midis Evropës me aleancën transatlantike dhe Rusisë. Kjo do të ndikojë në sigurinë, sigurisht të Gjeorgjisë dhe Moldavisë, dhe sigurisht edhe në sigurinë e Ukrainës. Është e mundur që Rusia mund ta humbasë këtë luftë plotësisht por do të shihnim një Rusi më të dobët, të inatosur e të zemëruar ndaj Evropës.

Të enjten, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë se çfarë të bëjnë më shumë për të ndihmuar partnerët e NATO-s që janë të cenueshëm ndaj kërcënimeve ruse, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën, shkruan Euro News.

Kategoritë
BotaLajme