Stoltenberg mirëpret mbështetjen e liderëve të Finlandës për anëtarësimin në NATO

“Nëse Finlanda vendos të aplikojë, ato do të mirëpriten ngrohtësisht në NATO dhe procesi i anëtarësimit do të jetë i qetë dhe i shpejtë”, tha Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti sot njoftimin e presidentit dhe kryeministres së Finlandës se do të mbështesin anëtarësimin e vendit në aleancën ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nëse Finlanda vendos të aplikojë, ato do të mirëpriten ngrohtësisht në NATO dhe procesi i anëtarësimit do të jetë i qetë dhe i shpejtë”, tha Stoltenberg në një deklaratë, duke përshëndetur vendimin e presidentit Sauli Niinisto dhe kryeministres Sanna Marin.

Ai theksoi se “Finlanda është një nga partnerët më të afërt të NATO-s, një demokraci e pjekur, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe kontribuues i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike”.

Stoltenberg tha se “anëtarësimi i vendit në NATO do të forconte sigurinë e NATO-s dhe Finlandës”.

Udhëheqësit finlandezë në një deklaratë të përbashkët njoftuan synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO “pa vonesë”, duke sfiduar paralajmërimin e Rusisë se nuk duan një tjetër anëtar të aleancës në kufijtë e tyre.

Finlanda ndan një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë dhe në fillim të Luftës së Dytë Botërore ajo mbronte ashpër veten nga një pushtim sovjetik.

Vendi mbajti neutralitet të rreptë ushtarak gjatë Luftës së Ftohtë, por në vitin 1995 arriti marrëveshje partneriteti me NATO-n.

Pasi Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës fqinje më 24 shkurt, mbështetja për anëtarësimin e Finlandës në NATO u rrit ndjeshëm në opinionin vendas.

Rusia vazhdimisht ka thënë se Finlanda dhe fqinji i saj Suedia nuk duhet t’i bashkohen NATO-s, duke e quajtur këtë hap si një kërcënim për sigurinë e saj.

Kategoritë
BotaLajme