Stoltenberg: Shënjestrimi i civilëve në Ukrainë është krim lufte

Gjatë vizitës së tij në Letoni, kreu i NATO-s, Stoltenberg deklaroi se civilët ishin shënjestër në Ukrainë, e cila u sulmua nga Rusia dhe se kjo është krim lufte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se civilët ishin shënjestër në Ukrainë, e cila u sulmua nga Rusia dhe se kjo është krim lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës së tij në Letoni, Stoltenberg mbajti një konferencë të përbashkët për media me presidentin letonez, Egils Levits.

Duke thënë se shumë civilë u vranë dhe u plagosën në Ukrainë në sulmet ruse, Stoltenberg tha se deri më tani rreth 2 milionë njerëz doemos është dashur të largohen nga vendi.

“Kjo është kriza me rritjen më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ka raporte shumë të besueshme se civilët ishin nën zjarr gjatë evakuimit. Të qëllosh civilë është krim lufte. Është e papranueshme. Është e nevojshme të hapen korridoret humanitare që duhet të zbatuar plotësisht”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se të gjithë kanë përgjegjësi për të parandaluar përhapjen e luftës në Ukrainë në vende të tjera.

“Një situatë e tillë do të ishte më e rrezikshme, shkatërruese dhe vdekjeprurëse. Situata mund të dalë jashtë kontrollit”, tha Stoltenberg.

Kreu i NATO-s kujtoi se përveç sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, Aleanca ka forcuar praninë e saj në Evropën Lindore.

“Kemi 130 avionë me gatishmëri të lartë, 200 anije nga veriu i largët deri në Mesdhe dhe mijëra trupa shtesë në rajon”, sqaroi Stoltenberg.

Levits tha se Letonia është e sigurt falë anëtarësimit në NATO.

“Ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Aleatët qëndrojnë pas njëri-tjetrit. NATO mbron të gjithë anëtarët e saj”, theksoi Levits.

Kategoritë
BotaLajme