Sudan, 12 ministra japin dorëheqje në shenjë protesta ndaj marrëveshjes me ushtrinë

Dje, Hamdok u rikthye në detyrë pasi nënshkroi një marrëveshje politike me kreun e këshillit ushtarak në pushtet të Sudanit, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, me qëllim për t’i dhënë fund krizës disa javore që kërcënoi tranzicionin politik të vendit

Dymbëdhjetë ministra të kabinetit qeveritar të Sudanit kanë paraqitur dorëheqjen te kryeministri Abdalla Hamdok në shenjë proteste ndaj marrëveshjes politike me këshillin ushtarak në pushtet të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dje, Hamdok u rikthye në detyrë pasi nënshkroi një marrëveshje politike me kreun e këshillit ushtarak në pushtet të Sudanit, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, me qëllim për t’i dhënë fund krizës disa javore që kërcënoi tranzicionin politik të vendit.

Marrëveshja u përshëndet kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, por forcat politike sudaneze e kanë hedhur poshtë atë, duke e quajtur një “përpjekje për të legjitimuar grusht shtetin”.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga ministrat, ndër ministrat e dorëhequr janë ai i punëve të jashtme, drejtësisë, bujqësisë, investimeve dhe energjisë.

Dorëheqjen e kanë dhënë edhe ministri i arsimit, punës, transportit, shëndetësisë, rinisë dhe ai i çështjeve fetare.

Njoftimi po ashtu tha se pesë ministrat nga radhët e koalicionit Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit (FFC), të cilët kishin ndarë pushtetin me ushtrinë para marrjes së pushtetit nga ushtria, nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të kabinetit,

Ministrat nuk shpjeguan arsyen e dorëheqjes së tyre.

Kujtojmë se ministrat e dorëhequr ishin pjesë e qeverisë kalimtare të udhëhequr nga Hamdok, e cila u shpërbë më 25 tetor nga gjenerali al-Burhan.

Në atë kohë, al-Burhan shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shkarkoi qeverinë kalimtare, mes protestave rivale dhe akuzave midis ushtrisë dhe politikanëve.

Dhjetëra persona janë vrarë që nga marrja e pushtetit nga ushtria më 25 tetor mes protestave që bëjnë thirrje për sundim civil.

Kategoritë
BotaLajme