Sudan, vazhdojnë protestat me kërkesën për qeveri civile

Protestuesit hodhën slogane kundër ndërhyrjes ushtarake dhe kërkuan lirimin e politikanëve të arrestuar dhe kalimin sa më parë në qeverisje civile

Në lagjet në periferi të kryeqytetit të Sudanit, Khartoum, po mbahen protesta kundër ndërhyrjes së ushtrisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kundërshtarët e “grushtit të shtetit” dolën nëpër rrugë në rajonin Al-Kalakla në jug të kryeqytetit, në zonat Bahri në veri dhe në qytetin Omdurman.

Protestuesit hodhën slogane kundër ndërhyrjes ushtarake dhe kërkuan lirimin e politikanëve të arrestuar dhe kalimin sa më parë në qeverisje civile.

Ushtria dhe policia mbyllën trafikun në bulevardin e aeroportit si dhe vendosën me barrikada në rrugët që çojnë në Shtabin e përgjithshëm të ushtrisë dhe ndërtesën e Presidencës.

Protestuesit janë intensifikuar në lagjet e jashtme të Khartoumit ndërkohë që në qendër të kryeqytetit nuk vërehet ndonjë lëvizje.

Komandanti i ushtrisë së Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan sot tha se ushtria nuk do të ndërhyjë ndaj protestave që do të zhvillohen në mbarë vendin nga kundërshtarët ndaj ndërhyrjes ushtarake për sa kohë që ato janë paqësore.

Unioni i Dhomave Profesionale të Sudanit dhe Komitetet e Rezistencës së Sudanit të cilët organizojnë protestat që mbahen kundër puçit ushtarak dhe me kërkesën për qeveri civile në Sudan, sot kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në mbarë vendin.

Në orët e para të mëngjesit më 25 tetor në Sudan u arrestuan shumë politikanë si dhe kryeministri Abdullah Hamdok i cili u lirua të nesërmen.

Gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan, njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, shpërbërjen e Këshillit të Sovranitetit dhe të kabinetit si dhe formimin e një qeverie teknokratike e cila do të përfaqësojë të gjitha shtresat në Sudan.

Kategoritë
BotaLajme