“Taksi fluturuese”, aeroportet italiane dhe franceze bashkojnë forcat për një formë të re transporti

Aeroportet në Romë, Venecia dhe Bolonja, si dhe aeroporti i Francës Côte d’Azur kanë bashkuar forcat për të krijuar një kompani, e cila do të ndërtojë dhe menaxhojë infrastrukturën e taksive fluturuese.

Këto infrastruktura, të njohura si vertiports (aeroporte vertikale), do të krijohen për t’i shërbyer avionëve elektrikë që janë të aftë për t’u ngritur dhe ulur vertikalisht. Kjo formë e re e transportit do t’i lejojë udhëtarët të shmangin bllokimet e trafikut dhe problemet e shumta të udhëtimit rrugor. Muajin e kaluar, një prodhues britanik i taksive elektrike fluturuese nënshkroi një kontratë me një linjë ajrore braziliane për të prodhuar një flotë të tillë avionësh deri në vitin 2025, sipas The Guardian.

Ky avion ka pesë vende, ndërsa bateria e tij është 20% deri në 50% më e madhe se ajo e një makine elektrike familjare. Prodhuesi britaniko-irlandez pretendon se avioni i tij është mjeti më pak ndotës i transportit deri më tani. Avolon, pas kontratës së saj në Brazil, nënshkroi një marrëveshje me Japanese Airlines për një program të ngjashëm.

Gjigantët e automobilave dhe të hapësirës ajrore si Honda dhe Airbus tashmë kanë hyrë në garën e taksive elektrike. Kompania e re gjermane për projektimin dhe ndërtimin e avionëve të vegjël elektrikë Volocopter ka nënshkruar gjithashtu një kontratë me Parisin dhe Singaporin.

Vertical, prodhuesi i VA-X4 ka marrë tashmë miliona paund subvencione nga qeveria britanike. Morgan Stanley vlerëson se në vitin 2040 taksitë elektrike fluturuese do të përfaqësojnë një treg me vlerë 1 trilion dollarë në vit, raporton abcnews.al

Përveç risive të motorit të tyre elektrik, taksitë fluturuese do të kenë një numër të madh sistemesh të automatizuara, të ngjashme me gjeneratën e F-35B. Taksitë fluturuese do të jenë gjithashtu të shpejta, me një shpejtësi maksimale prej 322 km në orë, duke mundësuar udhëtime të shpejta mes qyteteve.

Nga ana e tyre, prodhuesit e VA-X4 theksojnë se avioni i tyre është 100 herë më i qetë se një helikopter konvencional. Studimet shkencore, si ato të kryera nga një ekip studiuesish në Universitetin e Miçiganit, kanë treguar se taksitë elektrike fluturuese lëshojnë më pak karbon. Një taksi fluturuese me tre pasagjerë lëshon 52% më pak emetime gazë se sa një makinë me benzinë dhe 6% më pak se një makinë elektrike me dy pasagjerë.

Kategoritë
BotaLajme