Taksitë ilegalë shfrytëzojnë grevën, e bëjnë nga 2 në 5 euro udhëtimin Prishtinë – Gjilan

Autobusët ndër urbanë që nga dita e mërkurë kanë ndaluar qarkullimin. Shkak për këtë është bërë mos subvencionimi nga Qeveria për shkak të humbjeve që kanë pësuar gjatë pandemisë.

Qytetarët gjatë këtyre ditëve janë detyruar të udhëtojnë me taksi ilegalë. Por, këta të fundit, kanë shfrytëzuar situatën e krijuar me autobusët, duke shtrenjtuar çmimet e tyre.

A.SH, një qytetare që ka udhëtuar nga Prishtina për në Gjilan thotë se për një biletë në këtë relacion që zakonisht kushton 2 euro sot ka paguar 5 euro.

“Nga 2 euro sa është çmimi në ditët e zakonshme, sot kemi paguar nga 5 euro për të shkuar nga Prishtina në Gjilan”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj, ka thënë se nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim.

“Pa u zbatuar çështja e pagesës nuk ka kthim prapa, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjes nga Qeveria, nuk ka transport rrugor. Kur Qeveria merr vendim dhe fillon të bëjë pagesat atëherë jemi në rregull. Protesta vazhdon”, theksoi ai.

Ndryshe, Shoqata e transportuesve sot në shenjë proteste për mos subvencionimin nga Qeveria në formë proteste ka parakaluar me autobusë në kryeqytet, ndërsa ndaljen e ka bërë para objektit të Qeverisë.

Kategoritë
LajmeVendi