Të gjitha pretendimet për atentat kundër Vuçiqit

Zyrtarët në Serbi kanë kërkuar përmes një deklarate që shteti të marrë masa, për të zbuluar se kush ka tentuar ta vrasë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më herët, Vuçiq, i ftuar nga televizioni privat serb, Pink, ka konfirmuar se informacionet për atentatin kundër tij, i ka marrë nga Europoli – agjencia evropiane e policisë.

Në një deklaratë të Qeverisë rajonale të Vojvodinës, të lëshuar më 24 janar, autoriteteve shtetërore u kërkohet të bëjnë gjithçka dhe t’i zbulojnë ata që kanë përgatitur, siç thuhet, vrasjen e Vuçiqit.

Më herët, ministrja e Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka deklaruar se kërcënimet për vrasjen e presidentit të Serbisë, paraqesin problem sigurie për mbarë vendin.

Informacionet për tentativën për atentat janë publikuar fillimisht nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Më 21 janar, Vulin ka thënë se përmes Europolit, policia e një vendi evropian e ka informuar Ministrinë e Brendshme të Serbisë për krijimin e një grupi të organizuar kriminal, “qëllim i të cilit është vrasja, përkatësisht atentati ndaj presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

I dyshuari: Zvicer

Siç ka shpjeguar Vulin, pas kontrollit të autenticitetit të informacionit, së bashku me përfaqësuesit e Europolit dhe shërbimet partnere, ka nisur një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të kësaj “organizate kriminale”.

“Në krye të kësaj organizate kriminale është shtetasi malazez, Radoje Zvicer, për të cilin Serbia tashmë ka lëshuar një urdhër arresti; është organizator dhe një nga krerët e klanit të Kavaçit, përgjegjës për kontrabandë dhe shitje të paligjshme të drogës, por edhe organizimin dhe urdhërimin e disa vrasjeve të kryera në territorin e Republikë së Serbisë, Malit të Zi, por edhe në vende të tjera”, ka thënë Vulin.

Ai ka shtuar se hetimet do të përcaktojnë nëse Radoje Zvicer e ka organizuar këtë grup kriminal sipas gjykimit të tij, apo sipas urdhrit të shefit të tij politik.

Vulin nuk ka treguar se për kë e ka fjalën kur përmend shefin politik të Radoje Zvicerit.

“Deri atëherë, anëtarët e MPB-së dhe Agjencisë së Sigurisë Informative do ta informojnë Prokurorinë për Krim të Organizuar për çdo informacion që do ta arrijnë përmes punës operative”, ka thënë Vulin.

Prokuroria nuk i ka komentuar këto deklarata.

Më 21 janar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar për televizionin serb, Prva, se është informuar për atentatin e mundshëm kundër presidentit të Serbisë dhe se ai është planifikuar, sipas saj, për në gjysmën e parë të shkurtit.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se shërbimet e sigurisë ushtarake dhe njësia speciale “Kobra” do të bëjnë gjithçka “për të parandaluar çdo kërcënim ndaj presidentit”.

Kush është Zvicer?

Më 21 maj, 2021, Mali i Zi ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Radoje Zvicerin, me dyshimin se, bashkë me nëntë persona të tjerë, ka formuar një organizatë kriminale dhe ka kryer vrasje të rëndë.

Zvicer përmendet në media si një nga krerët e “Klanit Kavaç” – një nga dy klanet e Kotorrit nga Mali i Zi.

Vetë Zvicer i ka mbijetuar atentatit në Ukrainë, në maj të vitit 2020, kur, sipas informacioneve të policisë ukrainase, është qëlluar nga katër ekzekutorë: dy nga Serbia dhe dy nga Mali i Zi.

Sipas raportimeve të mediave, Zvicer është qëlluar me tre plumba në gjoks, por është shpëtuar nga bashkëshortja e tij, Tamara Zvicer, e cila ka qëlluar me armë zjarri.

“Nuk di për atentat”

Prejse është bërë zëvendëskryeministër i parë në vitin 2012, pastaj për tre vjet kryeministër, e deri në janar të vitit 2022, kur ka shënuar gati pesë vjet në presidencë, mediat kanë raportuar për pesë atentate të supozuara ndaj Aleksandar Vuçiqit.

I pyetur nga gazetarët në konferencën vjetore për media për atentatet ndaj tij, Vuçiq ka thënë se nuk di as për një rast të vetëm.

“Ju thoni se ka pasur tentime për atentat, unë nuk di për asnjë”, ka thënë Vuçiq më 29 dhjetor, 2021.

Kategoritë
LajmeRajoni