Të paktën 5 oligarkë rusë kanë vdekur në tre muajt e fundit nga vetëvrasje të dyshimta

Leonid Shulman, Alexander Tyulakov, Vasily Melnikov, Vladislav Avayev dhe Sergey Protosenya. Këta pesë biznesmenë rusë u gjetën të vdekur nga fundi i janarit deri në fund të prillit në rrethana të paqarta. Për të gjithë, hipoteza kryesore hetimore është se ata kryen vetëvrasje. Tre prej tyre dyshohet se vranë disa nga familjarët e tyre përpara se të vetëvriteshin. Katër prej tyre kishin një lloj lidhjeje me gjigantin shtetëror të energjisë Gazprom ose me një nga degët e saj. CNN tregon historitë e tyre.

Leonid Shulman, shefi i transportit të Gazprom Invest, ishte i pari që u gjet i vdekur më 30 janar 2022, në vilën e tij në fshatin Leninsky, afër Leningradit. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se në vendin e ngjarjes u gjet një shënim që sugjeronte vetëvrasjen.

Në më pak se një muaj më vonë, një tjetër drejtues i lartë i Gazprom u gjet i vdekur në të njëjtin fshat. Ky është Alexander Tyulakov, trupi i të cilit u gjet në garazhin e tij më 25 shkurt. Gazeta e pavarur ruse Novaya raportoi se menaxheri kreu vetëvrasje.

Një tjetër biznesmen rus, Vasily Melnikov, u gjet i vdekur me familjen e tij në apartamentin e tij luksoz në Nizhny Novgorod në fund të marsit. Gazeta ruse Kommersant shkruante se oligarku 43-vjeçar kishte në nga plagët me thikë, si dhe gruaja e tij 41 vjeç dhe dy fëmijët e moshës 4 dhe 10 vjeç. Në vendin e krimit janë gjetur thika të përputhshme me plagët. Melnikov zotëronte MedStom, një kompani furnizimesh mjekësore.

Oligarku i katërt i vdekur është ai me postin më të lartë. Vladislav Avayev, ish-zëvendës presidenti i Gazprombank, u gjet i vdekur në banesën e tij në Moskë më 18 prill. Duke cituar një burim të zbatimit të ligjit, agjencia ruse e lajmeve Tass tha se autoritetet po hetojnë vdekjen e Avajevit si vrasje-vetëvrasje, pasi burri u gjet me një armë në dorë pranë trupave pa jetë të gruas shtatzënë dhe vajzës 13-vjeçare.

Të nesërmen, më 19 prill, Sergey Protosenya, një ish-ekzekutiv i prodhuesit të gazit Novatek, i cili është gjithashtu pjesërisht në pronësi të Gazprom, u gjet i vdekur në veri të Barcelonës. Trupat e pajetë të gruas dhe vajzës së tij u gjetën gjithashtu në shtëpinë e tij në Lloret de Mar. Dy gratë, me shenja dhune, ndodheshin brenda shtëpisë, ndërsa Protosenya u gjet në kopshtin jashtë. Hipoteza e hetimit është vrasja e dyfishtë dhe më pas vetëvrasje. Djali i Protosenya, megjithatë, nuk e beson këtë version: “Babai im nuk është vrasës”, tha ai për Daily Mail. “Unë nuk e di se çfarë ndodhi atë natë, por e di që nuk mund të ishte ai. Mendoj se ata janë vrarë”.

I fundit është Mikhail Watford apo Mikhail Tolstosheya. Ndryshe nga të tjerët, ai është në fakt ukrainas, por edhe ai u gjet i vdekur në shtëpinë e tij. Më 28 shkurt, policia e gjeti trupin e tij të varur në garazhin e vilës së tij në Surrey, Anglia jugore. Para se të emigronte në Mbretërinë e Bashkuar, ai kishte bërë biznes në sektorin e energjisë, veçanërisht në rafinimin e naftës, në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme