Telekomi kërkon nisje të hetimeve nga marrëveshja me Z-Mobile: I shmangu rreth 16 milionë euro tatime

Telekomi i Kosovës ka paraqitur kërkesë për nisje të hetimeve ndaj disa personave që dyshohet se kanë keqpërdorur brenda kompanisë. Sipas një komunikate nga Telekomi, keqpërdorimet kanë të bëjnë në rastin e ‘Z-Mobile’, derisa thuhet se janë keqpërdorur mbi 100 milionë euro.

“Në bazë të detyrës zyrtare, jemi të obliguar të ju informojmë se, mbi bazën e fakteve dhe provave të reja, dokumentacionit dhe provave të bashkangjitura, ka dyshim të kryerjes së veprave penale” – thuhet në kërkesën për fillimin e hetimeve penale të Telekomit të Kosovës. Kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave, zyrtarë të lartë të kompanisë dhe personave privatë”, thuhet në njoftim.

Telekomi bën të ditur se keqpërdoruesit kanë lidhur kontrata të dëmshme, kanë fshehur dhe manipuluar të dhëna dhe kanë dhënë deklarime të rrejshme.

“Të njëjtit kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar ose edhe e kanë fshehur dëmin që ishte duke shkaktuar kontrata, duke mundësuar kështu dëme të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit si dhe dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, nga sa u tha më lartë, nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e Telekomit të Kosovës, në forma të ndryshme mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontrata e dëmshme për Telekomin e Kosovës, nga e cila u shkaktua dëmi në total prej mbi 100 milionë euro”.

Telekomi tha në komunikatë se nga keqpërdorimet, Telekomit i janë shkaktuar humbje komerciale nga zbatimi i kontratës që kap rreth 102 milionë euro, humbje direkte nga arbitrazhi, 51.4 milionë euro humbje nga Marrëveshja e vitit 2017 si dhe humbje nga shmangia e tatimit nga ‘Dardafon.net’, rreth 16 milionë euro

Kategoritë
LajmeVendi