Tetë mijë tifozë holandezë do të jenë në Tiranë

Kes Lau, kryetari i përkohshëm i shoqatës së tifozëve, mendon se të paktën 4000 tifozë të Feyenoord do të jenë të pranishëm javën e ardhshme në kryeqytetin shqiptar, pa pasur një biletë për finalen e Ligës së Konferencës kundër Romës.

“Për ndeshjen në stadiumin relativisht të vogël me një kapacitet prej 21 mijë spektatorësh,  zyrtarisht janë në dispozicion vetëm 4 mijë bileta për mbështetësit e të dy finalistëve.  Në total, rreth 8 mijë tifozë holandezë do të jenë në Tiranë”, mendon Lau.

Biletat- Ai është në kontakt të ngushtë me palët e përfshira në organizimin e ndeshjes, dhe shprehet se ndoshta disa qindra tifozë të Fejnordit do të arrijnë të marrin biletat në vend. “Ju shihni se çmimet në tregun e zi bien ndjeshëm. Javën e kaluar kanë kërkuar 3000 euro për një biletë. Tani nëse jeni me fat, mund të blini një për 500. Mendoj se ka shumë njerëz që janë të gatshëm ta paguajnë atë shumë parash”. KUJDESI- Ai u bën thirrje tifozëve të jenë të kujdesshëm.

“Ju i blini ato bileta nga njerëz që mund të mos kenë gjithmonë qëllimet më të mira për ju. Kam dëgjuar raporte se shumë bileta kanë rënë në duart e shqiptarëve të pasur, ndoshta edhe të spekulantëve, të cilët duan të përfitojnë një avantazh të konsiderueshëm financiar”.

ZONA E TIFOZËVE- Sipas Laut, tifozët pa biletë, ndoshta të gjithë, mund ta ndjekin ndeshjen në ekranet e mëdhenj të vendosur në zonën speciale të tifozëve të Fejnordit në shëtitoren “Murat Toptani” në Tiranë. “Fillimisht ato ekrane nuk ishin të destinuara, por kam dëgjuar se UEFA do ta rregullojë këtë. Të gjithë mbështetësit së bashku në një vend, është gjithashtu shumë më e lehtë për policinë në terren, e cila nuk ka shumë përvojë me këto lloj ngjarjesh në shkallë të gjerë, natyrisht”, shprehet kreu i shoqatës së tifozëve të Fejnordit.

UDHËTIMI- Shumë mbështetës do të udhëtojnë vetë drejt Shqipërisë. Duke qenë se ka pak linja direkte, shoqata e tifozëve ka arritur të organizojë dy fluturime direkte çarter drejt Tiranës për më shumë se 250 anëtarë. “Mbështetësit e tjerë do të duhet udhëtojnë tranzit një herë ose dy nëse duan të shkojnë në Shqipëri”. Ai thotë se ka folur me disa njerëz që planifikojnë të bëjnë rrugën prej 2200 kilometrash me makinë apo edhe autobus.

Kategoritë
Sport