Tetovë, mbahet finalja në “Kupën Ballkanike të Shigjetarisë – Tozkoparan Iskender”

Në garën finale të shigjetarisë, e cila u mbajtë në Arabatin Baba Teqe në Tetovë, morën pjesë garues nga shtatë vende të Ballkanit, përkatësisht nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia.

Në Arabatin Baba Teqe në Tetovë është mbajtur gara finale në “Kupën Ballkanike të Shigjetarisë – Tozkoparan Iskender”, ku morën pjesë garues nga shtatë vende të Ballkanit, respektivisht nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, raporton Anadolu Agency (AA).

Ngjarja u organizua nga Instituti “Yunus Emre – Shkup” dhe Fondacioni Turk i Harkëtarëve, në mbështetje të “Halkbank – Shkup”.

Në garën për femra vendin e parë e fitoi Almina Baralija nga Bosnjë e Hercegovina, vendin e dytë Selma Ahmed nga Maqedonia e Veriut dhe vendin e tretë Nasiha Hasiç po ashtu nga Bosnjë e Hercegovina.

Ndërsa në garën për meshkuj vendin e parë e fitoi Amel Baljuç nga Bosnjë e Hercegovina, vendin e dytë Zheljko Acman nga Kroacia dhe vendin e tretë Ermal Dragusha nga Shqipëria.

Ndër të pranishmit që ndoqën garën finale ishte edhe ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, i cili theksoi se përmes kësaj ngjarjeje në Maqedoninë e Veriut po ringjallet shigjetaria, që siç theksoi ai, “ka një vend të jashtëzakonshëm në kulturën tonë antike”.

“Gjatë historisë, harku dhe shigjeta janë përdorur gjerësisht në Ballkan. Sot, me kënaqësi shohim se prirja për trajnime të shigjetarisë me mbështetjen e Fondacionit të Harkëtarëve po rritet në shumë vende të Ballkanit”, tha ambasadori Sekizkök.

Kryetari i Fondacionit Turk të Harkëtarëve, njëkohësisht kreu i rrethit Beyoğlu në Stamboll, Haydar Ali Yıldız, njoftoi se sot në Arabatin Baba Teqe së bashku me fëmijët është mbjellë pema e panjeve nga e cila bëhet harku i shigjetës.

“Shpresoj që miqësia jonë, miqësia midis Turqisë dhe Maqedonisë (së Veriut), Turqisë dhe vendeve të Ballkanit, të jetë aq e fuqishme dhe e qëndrueshme sa këto pemë që kemi mbjell”, tha Yıldız.

Zv/ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, i cili po ashtu ndoqi garën finale, tha se aktivitetet e këtilla kulturore janë shumë të rëndësishme në aspektin e promovimit më të mirë të kulturës osmane në këtë zonë.

“Në mënyrë që t’i rrisim sa më shumë këto aktivitete, ne si Ministri e Kulturës jemi të gatshëm të sigurojmë të gjithë ndihmën nëse kërkohet, me lejen e Allahut”, tha zv/ministri Sulejmani.

Drejtori ekzekutiv i “Halkbank – Shkup”, Bilal Sucubaşı, si dhe drejtori i Institutit “Yunus Emre – Shkup”, Serhat Kula, vlerësuan përpjekjen dhe organizimin e këtij aktiviteti, i cili sipas tyre kontribuon për të mbajtur gjallë traditat dhe zakonet për gjeneratat e ardhshme.

Në garën e sotme finale në Arabatin Baba Teqe të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve të tjera turke në Maqedoninë e Veriut, si dhe një numër i madh i adhuruesve të sporteve tradicionale.

Kategoritë
LajmeRajoniSport