The Lancet: Pandemia ka shtuar rastet e depresionit dhe ankthit në të gjithë botën

Rastet e depresionit  dhe ankthit u  rritën me më shumë se një të katërtën në mbarë botën në vitin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19, sipas një studimi të botuar  në revistën mjekësore “The Lancet”.

Ky është studimi i parë që hulumton ndikimin global të pandemisë në çrregullimet mendore dhe ankthin, duke analizuar variabla; si mosha, gjinia dhe 204 shtete, gjatë vitit 2020.

Rezultatet e studimit tregojnë se deri në vitin 2020, rastet e mëdha depresive dhe çrregullimet e ankthit  u rritën  me 28% dhe 26% përkatësisht.

“Këto përfundime  nënvizojnë nevojën urgjente për të forcuar sistemet shëndetësore,” tha Damien Santomauro , autori kryesor i studimit në Qendrën Kërkimore të Shëndetit Mendor “Queensland” në Universitetin Australian të Shëndetit Publik.

“Edhe para pandemisë , sistemet e kujdesit të shëndetit mendor në shumicën e vendeve nuk kishin burime të mjaftueshme dhe ishin të paorganizuara. Adresimi i kësaj nevoje shtesë  do të jetë i vështirë, por  realizimi nuk është i paarritur,” shtoi ai

Gratë u prekën më shumë se burrat dhe të rinjtë gjithashtu u prekën më shumë në krahasim me moshat e mëdha.

“Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar shumë pabarazi ekzistuese dhe përcaktues shoqërorë të sëmundjeve mendore. Fatkeqësisht, për shumë arsye, gratë ka më shumë të ngjarë të preken nga pasojat sociale dhe ekonomike të kësaj pandemie,” tha Alize Ferrari, bashkë-autore e studimit.

“Mbyllja e shkollave dhe kufizimet më të gjera që kanë kufizuar aftësinë e të rinjve për të mësuar dhe bashkëvepruar me bashkëmoshatarët e tyre, të kombinuara me rritjen e rrezikut të papunësisë, gjithashtu kanë kontribuar në ngarkimin e mëtejshëm të shëndetit mendor të të rinjve,” shtoi ajo.

Si përfundim, rezultatet e studimit treguan se vendet më të prekura nga pandemia në vitin 2020 regjistruan rritjen më të madhe në përhapjen e çrregullimeve.

Autorët pranojnë, se studimi i tyre është i kufizuar nga mungesa e të dhënave të besueshme mbi efektet e pandemisë në shëndetin mendor në shumë vende  të botës, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme

Kategoritë
LajmeShëndetësi