Thirrja për qytetarët dhe shpërthimet në banesa/ Dita e tretë e luftës në Ukrainë, çfarë ndodhi gjatë natës në Kiev

Lufta ka arritur në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës të shtunën pasi ushtria e vendit u përpoq të ndalonte përparimin e forcave ruse në vende të ndryshme.

Jemi në ditën e tretë të luftës dhe të rejat e fundit janë:

-Një ndërtesë banimi u godit nga një raketë në orët e para të mëngjesit të së shtunës teksa njerëzit ishin në gjumë. Në rrjete sociale kanë qarkulluar imazhe dhe video që tregojnë dëme të shumta në apartamente disa dhjetëra kate lart, me mure të shkëputura plotësisht. Ende nuk dihen shkaqet e goditjes dhe nëse ka njerëz të lënduar apo viktima.

-Mëngjesin e së shtunës, ministri i brendshëm i Ukrainës bëri një paralajmërim në Facebook duke thënë: “Lufta aktive do të jetë në rrugët e qytetit tonë.” Ai i kërkon qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë brenda në shtëpi, të mbulohen mirë dhe të futen në strehimin më të afërt sapo të dëgjojnë sirenat e sulmit ajror.

-Shpërthime në të gjithë kryeqytetin janë dëgjuar nga ora 02-04 të mëngjesit. Është hera e parë që raportohen shpërthime brenda Kievit, pas disa ditësh luftimesh të ashpra në periferi. Ushtria ukrainase ia atribuoi disa nga shpërthimet herët në mëngjes shkatërrimit të një tanku rus.

-Ukrainasit janë përgatitur për të mbrojtur kryeqytetin e tyre gjatë ditëve të fundit pasi zyrtarët i kanë dhënë armë ndërsa janë publikuar udhëzime se si të përgatisin kokteje molotovi. Madje disa anëtarë të parlamentit i thanë CNN se kanë marrë armët dhe kanë mësuar si të qëllojnë.

-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është betuar për të mbrojtur vendin e tij në një video të filmuar mbrëmjen e së premtes teksa qëndronte në rrugët e Kievit me liderë të administratës së tij. “Ne jemi të gjithë këtu për të mbrojtur pavarësinë tonë”, tha ai.

-Majori i qytetit Vasilkiv, 35 km në jug të Kievit tha mëngjesin e së shtunës se luftimet e ashpra kishin sjellë humbje nga ana e Ukrainës.

-Shumë prej qytetarëve janë larguar nga Kievi të premten duke lënë të qeta rrugët e qytetit. Bazuar në të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 50 mijë ukrainas janë larguar nga vendi në 48 orët e fundit. Pjesa më e madhe kanë shkuar në Poloni dhe Moldavi.

Kategoritë
BotaLajme