TIKA ndihmon mbi 5.300 familje palestineze në Gaza me rastin e Ramazanit

TIKA tha se ndihma ka për qëllim të përmbushë disa nga nevojat e Ramazanit të familjeve të varfra që në të njëjtën kohë po luftojnë kundër koronavirusit (COVID-19) nën hijen e bllokadës së vendosur nga Izraeli

Në kuadër të ndihmave të Ramazanit për popullin palestinez, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) shpërndau pako ushqimore për 5.320 familje në nevojë në Gaza, e cila është nën bllokadën e Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Zyra e TIKA-s në Palestinë, thuhet se ndihma ka për qëllim të përmbushë disa nga nevojat e Ramazanit të familjeve të varfra që në të njëjtën kohë po luftojnë kundër koronavirusit (COVID-19) nën hijen e bllokadës së vendosur nga Izraeli.

Pakot ushqimore përmbanin produkte si vaj luledielli, vaj ulliri, oriz, fasule, thjerrëza, makarona dhe çaj.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se gjatë Ramazanit, pako ushqimore do t’u jepen 14 mijë familjeve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, kurse 7 mijë njerëzve do t’u jepen vakte iftari.

Për shkak të bllokadës së vendosur nga Izraeli që nga viti 2006 dhe COVID-19, situata ekonomike në Gaza po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe gjysma e popullsisë po përjeton varfëri.

Ndryshe, TIKA ka hapur Zyrën e Palestinës që nga viti 2005 dhe deri më tani ka kryer qindra projekte në fusha si arsimi, shëndetësia, ndihma emergjente, uji dhe shëndeti publik, sektori i prodhimit, mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët historike dhe forcimi i infrastrukturës administrative dhe civile.

Kategoritë
BotaLajme