TIKA shpërndan pako ushqimore dhe higjienike për 2.300 familje në Kosovë

“Republika e Turqisë dhe populli turk, ashtu si gjithmonë edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës”, tha koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka nisur shpërndarjen e 2.300 pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmat do të shpërndahen për familjet në nevojë nëpërmjet organizatave të ndryshme, ndërsa një ceremoni është organizuar edhe në Komunën e Skenderajt në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në deklaratën për AA tha se bashkëpunimi mes TIKA-s dhe komunës së Skenderajt ka qenë i jashtëzakonshëm që nga ditët e para, duke theksuar se prej kur ka ardhur TIKA me projekte të ndryshme në fusha të ndryshme ky bashkëpunim po vazhdon edhe sot.

Ai duke uruar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen tha se: “Me këtë rast dua ta falënderoj në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Skenderajt, përmes TIKA-s edhe tërë popullin dhe shtetin e Turqisë për ndihmesën që e ka dhënë qysh nga vitet e vështira që ne ishim gjatë luftës në çlirim të vendit por edhe sot në ndërtim dhe zhvillim të vendit tonë. Mund të them lirisht si dy popuj apo dy vëllezër, kështu që uroj ky bashkëpunim i yni të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe padyshim se do të vazhdojë”.

Koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer tha se këtë vit aktivitetet e ndihmës me rastin e muajit të Ramazanit i realizojnë nën temën “Sofra e Asketëve”. “Republika e Turqisë dhe populli turk, ashtu si gjithmonë edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

Ndihmat kanë filluar të shpërndahen në komunat e Skenderajt, Mamushës, Vushtrrisë, Mitrovicës, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojë edhe në komunat e Prizrenit dhe Dragashit.

Kategoritë
LajmeVendi