Tragjedi në shtetin afrikan, rreth 40 pasagjerë digjen për së gjalli në autobus

Rreth 40 pasagjerë janë djegur për së gjalli, pasi një autobus u rrotullua dhe u kaplua nga flaka në perëndim të Republikës Demokratike të Kongos, tha një zyrtar i këtij shteti.

Aksidenti ndodhi afër fshatit Kiwawa, gjashtë orë udhëtim larg kryeqytetit Kinshasa, tha guvernatori i provincës Kwilu, Willy Itshundala.

“Pothuajse asgjë nuk mund të nxirret. Nga 31 të mbijetuar, nëntë janë të lënduar seriozisht”, tha ky zyrtar përmes telefonit për agjencinë Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në disa video të publikuara në rrejte sociale shihet një autobus i kthyer në krah duke u djegur dhe disa kokrra pemësh të shpërndara. Agjencia Reuters nuk ka pasur mundësi që t’i vërtetojë pamjet.

Zhvillimi i transportit në Republikën Demokratike të Kongos është mjaft i vështirë për shkak se terreni dhe klima janë të papërshtatshme për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave.

Sidoqoftë, ky shtet i shfrytëzon më shumë rrugët ujore për të lëvizur nëpër territorin e madh të shtetit me sipërfaqe prej 2 milionë e 345 mijë kilometrash katrorë.

Kategoritë
LajmeVendi