Tragjedi në Zvicër, 5 anëtarët e familjes hidhen nga ballkoni i katit të shtatë, djali 15-vjeçar i vetmi i mbijetuar

Katër francezë, anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën sot, pasi siç duket janë hedhur nga ballkoni në katin e 7-të të një pallati në Montreux të Zvicrës në kushte misterioze, u bë e ditur nga policia.

Djali i familjes, i vetmi i mbijetuar nga ngjarja makabër, po trajtohet në spital.

Ende nuk dihet shkaku i kësaj tragjedie familjare, e cila ndodhi herët në mëngjes në Montreux, një qytet në brigjet e liqenit Lehman.

Megjithatë, sipas informacioneve të para, tragjedia ka ndodhur kur policia ka mbërritur në këtë banesë për një problem me edukimin e njërit prej fëmijëve.

“Policia nuk ka mundur të hyjë në banesë. Në atë moment, me sa duket, është marrë vendimi nga kjo familje që të hidhet në hapësirë ​​nga ballkoni i katit të 7-të”, tha për RTS zëdhënësi i policisë.

Sipas hetimeve fillestare, dy oficerë policie shkuan në banesën e familjes nga Franca “për të ekzekutuar një urdhër të lëshuar në lidhje me edukimin në shtëpi të një fëmije”, tha policia në një njoftim për shtyp.

Urdhri kishte të bënte me të atin, një francez 40-vjeçar, i cili banonte në këtë banesë.

Policia trokiti në derë dhe dëgjoi një zë që i pyeste se kush ishte. Pas deklarimit të identitetit, ata nuk kanë dëgjuar më zhurmë nga banesa.

Në pamundësi për të arritur tek banorët, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, por ndërkohë një dëshmitar ka lajmëruar policinë për të raportuar se personat kanë rënë nga ballkoni i një banese.

Dëshmitari okular “ishte i pranishëm në momentin kur anëtarët e familjes ranë”.

Në pritje të identifikimit zyrtar të viktimave, rezulton se pesë personat e rënë nga ballkoni janë anëtarë të së njëjtës familje me kombësi franceze.

Kryefamiljari 40 vjeç, gruaja e tij 41 vjeç, motra e saj binjake dhe vajza 8-vjeçare e çiftit janë katër të vdekurit.

Djali, 15 vjeç, po trajtohet në spital në gjendje të rëndë.

Në këtë fazë të hetimeve është përjashtuar prania e një personi tjetër në banesë në momentin e tragjedisë.

“Ngjarjet u zhvilluan me dyer të mbyllura. Viktimat ndodheshin në banesë dhe më pas ranë nga ballkoni. Nëse bëhet fjalë për rënie apo rrethana të tjera, hetimi do të përcaktojë se me çfarë kemi të bëjmë”, nënvizoi zëdhënësi i policisë.

Kategoritë
BotaLajme