Tragjedia në Gllogjan, policia po pret ekspertizë nga jashtë Kosovës

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se për vrasjen e trefishtë në autobus që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan, hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare.

Derisa theksoi se për këtë rast tragjik, janë duke pritur disa ekspertiza të cilat janë dërguar jashtë vendit.

Ndërkaq, për rastin në fjalë, ditë më parë, janë arrestuar tre persona të dyshuar.

“Sa i përket rasteve të pazbuluara nga e kaluara, rastet janë dorëzuar në Prokurori. Një pjesë të punës rreth rastit të caktuar e bartë edhe prokurori përkatës. Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona. Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare. Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mundemi me thënë në fazën fillestare, por kanë bërë disa progrese. Jemi duke i pritë edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit. Po ashtu janë duke u pritë edhe disa rezultate të tjera të cilat ndërlidhen me çështjet e ndryshme teknike. Aktualisht mendoj që kemi kryer një pjesë të punës pas këtij rasti, mirëpo mbetet ende për të punuar”, theksoi Mehmeti.

Kryetari i Komisionit Bekë Berisha kërkoi nga drejtori të dinë se pse policia nuk po arrin t’i zbulojë disa vrasje, derisa sipas tij, njerëzit e thjeshtë e dinë çka ka ndodhur në ato raste.

“Tani këto vrasje politike, enigmatike po prodhojnë deputetë, duke u thirrur në emër të tyre. Për këtë dua me pyet, hetuesitë nëpër regjione, nëpër stacione, a ndërrohen ndonjë herë e që ka shumë vrasje enigmatike. A është përgjegjës ndokush, a duhet ato edhe një herë të kthehen në pah dhe të trajtohen prapë. Çka është duke ndodhur në këtë aspekt. Në Pejë kemi një numër të madh të vrasjeve enigmatike, kush është përgjegjës për t’i zbuluar këto… Keni përvojë të madhe, qe 20 vjet ju shkoni në punë prej orës 8:00 deri 16:00, edhe për 20 vjet asnjë vrasje nuk mundet me qenë aq profesionale sa jeni ju të thirrur edhe të kualifikuar në vendet e jashtme për t’i zbuluar këto gjëra, pse nuk zbulohen këto? Shqetësimi më i madh është, krejt qytetarët e dinë çka ka ndodhur, veç ju s’i dini. Në Istog është vrarë Nexhat Muslijaj në shkollë, është prerë në fyt njeri, një ditë pas zgjedhjeve. Edhe kanë devijuar hetimet, ku nuk dihet asgjë. Një rast tjetër Muhamet Metaj, është zhdukur, edhe nuk dihet gjë për fatin e tij. Edhe janë devijuar hetimet, a ka mundësi që të devijohen hetimet prej Policisë së Kosovës, për t’i dhënë kahje kot për të mos u zbuluar kurrë”, theksoi Berisha”, theksoi Berisha.

Për këtë, Mehmeti ka thënë se në këtë periudhë, vetëm një vrasje nuk është zbuluar, prej 18 vrasjeve sa kanë qenë.

Gjatë raportimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Mehmeti tha se si polici janë të angazhuar që t’i zbulojnë të gjitha vrasjet.

“Sa i përket vrasjeve, ne jemi angazhuar që të gjitha vrasjet të cilat kanë ndodhur në këtë periudhë kohore, është vetëm një vrasje e cila ende nuk është zbuluar… prej 18 vrasjeve sa kanë ndodhur në këtë periudhë kohore, pra, është vetëm një që nuk është zbuluar, ndërsa sa i përket ndryshimeve të ekipeve ne aktualisht jemi duke e ndërtuar një sistem dhe jemi duke kërkuar përgjegjësi prej hetuesve, jo vetëm për vrasje, por për të gjitha rastet që hetuesit i kanë në dispozicion të tyre jemi duke kërkuar përgjegjësi për nivelin e zbulueshmërisë”, theksoi ai.

Drejtori i Policisë gjatë raportimit në këtë Komision, ka shpalosur raportin vjetor para anëtarëve të komisionit për punët që janë bërë në Polici gjatë vitit 2021.

Kategoritë
LajmeVendi