Tre kosovarët e arrestuar nga Serbia gjatë fundjavës, çka dihet deri tash për ta?

Gjatë fundjavës që shkoi, janë denoncuar tri arrestime të kosovarëve nga autoritetet e Serbisë. Për T7 ka folur një prej të arrestuarve e nëpër media versionet e tyre kanë dhënë familjarët e të treve. Zyrtiarisht, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë ndonjë informacion.

Tre shtetas të Kosovës janë ndalur nga autoritetet serbe gjatë fundjavës. Njëri po kthehej nga Gjermani, ndërsa dy të tjerë thuhet se u arrestuan diku te zona kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në fshatrat e Podujevës.

Dy kosovarët, babë e bir, nga Podujeva u arrestuan të shtunën nga xhandarmëria serbe, pasi dyshoheshin se prenë ilegalisht pyllin edhe pse nuk dihet saktë se në cilën pjesë ata janë kapur duke prerë dru – nëse kanë prerë.

Familjarët e dy personave të arrestuar kanë thënë se po të shtunën iu është shqiptuar edhe masa e paraburgimit prej 30 dhe se ata po mbahen në burgun e Prokupljes dhe se nuk kanë informacion se ku janë arrestuar ata.

Ndërsa rastin për arrestimin e këtyre dy personave e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi.

I arrestuari i tretë gjatë kësaj fundjave nga policia serbe ishte Abaz Beqiraj. Ai u arrestua në mëngjesin e së dielës në kufirin Hungari – Serbi.

Lajmin për arrestimin e tij e ka dhënë vajza e Abazit, Melihate Beqiraj, ndërsa për arrestimin e tij ka folur vetë kosovari në një intervistë për Televizionin 7.

Kjo pasi ky i fundit u arrestua nga Policia serbe lidhur me një aktakuzë të vitit 2010 të cilën Beqiraj as vet nuk e di çka është, siç ka treguar ai ekskluzivisht përmes telefonit për T7, nga burgu ku po mbahet.

“Jo unë për vete nuk di për kurrfarë aktakuze që kam ba në jetën time. Tash këta më kanë thanë kështu, por tash presin me m’qitë në gjyq apo çfarë dreqin… telefonin ma kanë lanë, senet me hangër bukë. Më kanë thanë me pritë nja 2-3 orë”, tha Abaz Beqiraj.

Ai e ka shpjeguar se si ndodhi arrestimi i tij, duke thënë se as tani që është i ndaluar nga autoritetet serbe, nuk e di se për cka po akuzohet.

“Jam kanë tu ardhë prej Gjermanisë bre, kam qenë tek djali me nejtë, më zbriten në tokë, ma kanë marrë lejen. Tash unë ma gatë nuk di çka me të thanë. S’ka fol kush me mu, tash a më ndalin a më lëshojnë nuk e di. 2:30 As vetë nuk e di pse, veç i ka thanë shoferit që në 2010-në e ka një aktakuzë. Për çfarë aktakuze këta e dinë dhe e luajnë lojën qysh donë.”, shtoi Abaz Beqiraj.

Pas arrestimit të shqiptarit nga Kosova në kufirin Hungari-Serbi, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përmes faqes zyrtare në Facebook, MPJD thotë se ende nuk e kanë të konfirmuar se autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Kosovës.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat”, thuhet në njoftimin.

Kategoritë
LajmeVendi