Trump shet hotelin e tij në Washington për 375 milionë dollarë

Organizata Trump ka kërkuar blerës që nga viti 2019 për hotelin me 263 dhoma me kontratë qiraje 60-vjeçare.

Është arritur një marrëveshje me një kompani investimi me seli në Miami për shitjen e hotelit “Trump International” për 375 milionë dollarë, në pronësi të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Në lajmin e BBC thuhet se kompania familjare e Trumpit në Washington DC, Organizata Trump, ra dakord me CGI Merchant Group për shitjen e hotelit.

Në deklaratë thuhet se për shitjen e hotelit është arritur marrëveshje për 375 milionë dollarë dhe se transferimi zyrtar do të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2022 ndërsa emri i ri i hotelit do të jetë “Waldorf Astoria” pas shitjes dhe do të menaxhohet nga Hilton Group.

Bëhet e ditur se Organizata Trump ka kërkuar blerës që nga viti 2019 për hotelin me 263 dhoma me kontratë qiraje 60-vjeçare.

Senati i SHBA-së ka hapur një hetim kundër Trumpit për gjoja shkeljen e “nenit përkatës të Kushtetutës që ndalon zyrtarët federalë të marrin dhurata ose pagesa nga qeveritë e tjera duke marrë miliona dollarë pagesa nga qeveritë e huaja për hotelin”.

Në hetim u zbulua se gjatë presidencës së Trumpit, hoteli humbi 70 milionë dollarë dhe mori 3.7 milionë dollarë pagesa nga qeveritë e huaja.

Organizata Trump, nga ana tjetër, e quajti “mashtrues” raportin mbi hetimin.

I vendosur afër Shtëpisë së Bardhë, hoteli u hap në shtator të vitit 2016.

Ndërtesa u ble nga Organizata Trump në vitin 2012. Ajo filloi të funksionojë si hotel pasi Trump u bë kandidati republikan për president.

Kategoritë
BotaLajme