Tubohen mbi 6 miliardë euro për Ukrainën në konferencën e donatorëve në Varshavë

“Në këtë konferencë ne arritëm të mbledhim më shumë se 6 miliardë euro. Këto para do të shpërndahen për të mbështetur Ukrainën dhe të gjithë ata që mbështesin Ukrainën”, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki pas ngjarjes

Mbi 6 miliardë euro u premtuan sot për Ukrainën në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve të organizuar nga qeveritë polake dhe suedeze në Varshavë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në këtë konferencë ne arritëm të mbledhim më shumë se 6 miliardë euro. Këto para do të shpërndahen për të mbështetur Ukrainën dhe të gjithë ata që mbështesin Ukrainën”, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në një konferencë për shtyp pas ngjarjes.

“Sot, Ukraina është një shtyllë e botës sonë dhe ne të gjithë i detyrohemi një borxhi mirënjohjeje”, tha Morawiecki, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së të pranojnë paketën e 6-të të sanksioneve të propozuar nga Komisioni Evropian të mërkurën, pavarësisht kostove të saj të rënda për ekonominë evropiane.

“Nuk ka liri pa solidaritet”, theksoi ai.

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson përshëndeti gjithashtu “rezultatet fantastike” të konferencës së donatorëve që “deri më tani i kanë tejkaluar pritshmëritë tona”, por paralajmëroi se Ukraina do të ketë nevojë gjithashtu për mbështetje në të ardhmen.

Ajo i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj lufte brutale kundër Ukrainës dhe të tërheqë forcat e saj nga vendi.

Sipas propozimit të Komisionit Evropian, BE-ja do të ndalojë importet e naftës nga Rusia, do të përjashtojë Sberbank nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, si dhe do të sanksionojë individë të rinj me ngrirje asetesh dhe ndalim udhëtimi si pjesë e raundit të 6-të të sanksioneve për luftën në Ukrainë.

Drafti ende nuk është miratuar nga vendet anëtare të BE-së.

BE-ja ka ndarë 1,5 miliard euro në mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe ka mobilizuar mbi 4 miliardë euro ndihmë makro-financiare, ndihmë humanitare dhe mbështetje për vendet e BE-së që strehojnë refugjatë nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Ajo gjithashtu ka miratuar pesë grupe sanksionesh, duke synuar individë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, oligarkë dhe oficerë ushtarakë, si dhe ndalimin e eksportit të mallrave luksoze dhe importet e qymyrit, dhe duke përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga rrjeti SWIFT.

Kategoritë
BotaLajme