Tunizi, hapet hetim ndaj partive Ennahda dhe Zemra e Tunizisë

Mohsen al-Dali, zëdhënës i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tunis, tha për AA se një gjykatës hetues ka hapur hetim më 14 korrik për akuzën e “marrjes së fondeve të huaja”

Në Tunizi ka filluar hetim kundër partive Ennahda dhe Zemra e Tunizisë me akuzat për “marrje fondesh të huaja” gjatë fushatës së vitit 2019 për zgjedhjet parlamentare, tha një zëdhënës tunizian, raporton Anadolu Agency (AA).

Mohsen al-Dali, zëdhënës i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tunis, tha për AA se një gjykatës hetues ka hapur hetim më 14 korrik për akuzën e “marrjes së fondeve të huaja”.

Ai deklaroi se hetimi përfshin partinë Ennahda, e cila ka 53 vende në parlamentin me 217 anëtarë, partinë Zemra e Tunizisë (28 vende) dhe Shoqatën Aish Tounsi, e cila ka një vend.

“Dënimet në raste të tilla janë në përputhje me jurisprudencën e gjyqtarëve dhe mund të arrijnë deri në ndalimin e udhëtimit, arrestimin dhe ngrirjen e fondeve”, tha zëdhënësi.

Partia Ennahda, partia Zemra e Tunizisë dhe Shoqata Aish Tounsi kanë mohuar më parë të kenë marrë fonde të huaja.

Të dielën, presidenti tunizian Kais Saied shkarkoi qeverinë e kryeministrit Hichem Mechichi, ngriu parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.

Ky vendim u refuzua nga shumica e blloqeve parlamentare të Tunizisë, duke përfshirë partitë Ennahda, Zemra e Tunizisë, Koalicioni i Dinjitetit dhe Lëvizja Popullore.

Drejtuesi i Ennahda-s dhe kryetari i parlamentit Rached Ghannouchi e quajti hapin e presidentit Saied si asgjë tjetër përveç një “grusht shteti i plotë” kundër kushtetutës, revolucionit dhe lirive.

Tunizia shihet si i vetmi vend që ka arritur të realizojë një tranzicion demokratik midis grupeve të vendeve arabe që ishin skenë e revolucioneve popullore që rrëzuan regjimet e tyre, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.

Kategoritë
BotaLajme