Tureci-Sahin: Pas një viti koronavirusi do të bëhet si virusi i gripit

Themeluesit e kompanisë “BioNTech” vazhdojnë me testimin e vaksinës kundër varianteve të Covid-19.

Dr. Ozlem Tureci dhe profesor Ugur Sahin, themelues të kompanisë gjermane ”BioNTech”, që zhvilloi vaksinën e parë kundër llojit të ri të koronavirusit (Covid-19), në lidhje me përfundimin e epidemisë thanë se: “Me kalimin e viteve, virusi do të fitojë statusin e virusit të gripit, në të cilin disa grupe të popullsisë vaksinohen çdo vit ose çdo dy vjet. Koronavirusi do të jetë një virus më i menaxhueshëm.”

Duke iu referuar varianteve të Covid-19, Sahin tha: “Aktualisht jemi duke testuar vaksinat kundër varianteve në një grup relativisht të vogël vullnetarësh. Një studim i variantit beta të Afrikës së Jugut është pothuajse i përfunduar dhe ka një studim në vazhdim për të mbledhur të dhëna për variantin delta.”

Tureci, e cila ndau parashikimet e saj për të ardhmen e epidemisë së Covid-19 tha: “Ajo që mund të themi me siguri tani është se gradualisht një normalitet i ri është vendosur. Tashmë mund ta ndiejmë atë. Po mësojmë se si të përballemi me virusin.”

“Duke qenë se një pjesë e madhe e popullsisë është imune, do të ketë një normalitet, ku ne mund të lëvizim më lirshëm. Sigurisht, do të merremi me virusin edhe për disa vite të tjera. Me kalimin e viteve, virusi do të fitojnë statusin e virusit të gripit, në të cilin disa grupe të popullsisë vaksinohen çdo vit ose çdo dy vjet. Koronavirusi do të jetë një virus më i menaxhueshëm”, shtoi ajo.

Ndërkaq profesor Sahin nga ana e tij tha se nuk ka nevojë të ndryshohet vaksina ekzistuese kundër Covid-19.

“Nuk ka nevojë të ndryshohet vaksina aktuale në këtë moment. Por, ne duam të tregojmë se mund të prodhojmë vaksina kundër varianteve të reja dhe t’i testojmë klinikisht për të treguar se ato janë po aq të sigurta sa vaksinat që përdorim tashmë. Nëse në vitet e ardhshme shfaqet një variant dhe duhet përshtatur vaksina, ne do të mund ta bëjmë këtë shumë shpejt sepse tashmë kemi krijuar procedurën e nevojshme. Në këtë mënyrë, ne do të jemi në gjendje të përgatitemi me shumë qetësi për faktin se vaksina mund të ketë nevojë të përshtatet me mutacionet e reja të virusit çdo dy vjet”, deklaroi profesor Ugur Sahin.

Kategoritë
BotaLajme