Turistët ukrainas dhe rusë në Shqipëri, si pritet të ndikojë tensioni midis dy vendeve në ardhjen e tyre?

Krahasuar me vitin 2016 numri i turistëve ukrainas që vizitojnë Shqipërinë është tetëfishuar. Kurse në vitin 2021 është regjistruar shifra më e lartë, me mbi 110 mijë vizitorë ukrainas.

Sipas Euronews Albania, rusët po ashtu kanë zgjedhur Shqipërinë për turizëm. Në gjashtë vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë.

Por si do të ndikojë tensioni Rusi-Ukrainë në ardhjen e turistëve, tashmë që sezoni pranverë verë është gati në nisje?

Sipërmarrësja në sektorin e turizmit, Tatjana Bajraktari thotë se rezervimet e turistëve ukrainas dhe rusë nuk janë anuluar, përkundrazi kanë shënuar rritje.

“Nuk është anuluar asgjë. Rezervimet vazhdojnë me ato kontrata që kemi mbyllur për 2022. Është e kundërta ne jemi në rritje si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi”, tha Bajraktari.

Me origjinë nga Ukraina, Tatjana jeton prej vitesh në Shqipëri. Sipas saj, situata është shumë më ndryshe se ajo e vitit 2014, ku Ukraina ishte në luftë me Rusinë pasi kjo e fundit aneksoi Krimenë.

“Unë mund të them që kur ka qenë viti 2014, ka qenë koha kur pasur më shumë anulime, ka qenë një kohë që nuk ka pasur as rezervime, edhe pse në atë kohë fluksi i turistëve nga Ukraina në Shqipëri nuk ka qenë kaq i madh”, tha Bajraktari.

Ajo ka ndarë ndjesinë e të afërmeve të saj që jetojnë në Ukrainë.

“Ndez çdo lloj kanali televiziv dhe thotë luftë luftë luftë. Përveç medieve ata tension nuk ndjejnë për arsye se të dalësh në rrugë është shumë normale. Jeta vazhdon dhe njerëzit shkojnë në punë si gjithmonë”, tha ajo.

Për agjencitë turistike ky vit pritet te sjellë më shumë vizitorë të huaj, gjë që pritet të sjellë rimëkëmbje nga goditja e pandemisë. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeRajoni