Turqi, dënim me burg për 3 persona në rastin e arratisjes së ish-shefit të kompanisë Nissan

Gjykata dënoi shefin e një kompanie të ngarkesave dhe dy pilotë me nga 4 vjet e 2 muaj burgim.

Një gjykatë turke shqiptoi dënim me burg për tre persona të cilët u akuzuan për ndihmë në arratisjen së ish-shefit ekzekutiv të kompanisë Nissan, Carlos Ghosn, nga Japonia në Liban përmes Aeroportit Ataturk në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i një ndërmarrjeje private të ngarkesave dhe dy pilotë, të cilët u akuzuan për “kontrabandë me migrant”, u dënuan me nga katër vjet e dy muaj burg secili.

I pandehuri Okan Kösemen, ekzekutivi i kompanisë private të ngarkesave, tha se ai nuk kishte asnjë qëllim të paramenduar, duke e quajtur përfshirjen e tij si një akt “për keqardhje”.

Piloti Bahri Kutlu Sömek, një tjetër i pandehur në këtë rast, i tha gjykatës se ai sërish do të bënte të njëjtin fluturim nëse do të caktohej në detyrë edhe një herë.

“Unë nuk përfitova nga kjo ngjarje në asnjë mënyrë. Nëse do të kisha interes, nuk do të kërkoja që ndalimi im i udhëtimit jashtë shtetit të hiqej për të punuar për muaj. Unë jam një person në pension dhe jetoj me kartën e nënës sime”, tha ai, duke hedhur poshtë akuzat.

Piloti i pandehur Noyan Pasin deklaroi se ai përmbushi detyrën që i ishte dhënë nga kompania e tij dhe pretendoi se Carlos Ghosn kishte kaluar të gjitha pikat e kontrollit në Japoni dhe Stamboll.

Ai gjithashtu pohoi se nuk ka asnjë element ligjor të krimit të kontrabandës me migrant.

Të pandehurit e tjerë, Serhat Kahvecioğlu, Özgü Bilge Bayram dhe Nesrin Altunalan, u liruan nga gjykata.

Dy fluturime të dy avionëve privatë nga qyteti japonez i Osaka për në Aeroportin Ataturk dhe më pas Bejrut u shqyrtuan si pjesë e hetimit.

Njëri prej avionëve, i cili u ngrit nga Osaka, u ul në Aeroportin Ataturk në orën 5:15 të mëngjesit me kohën lokale më 29 dhjetor 2019, ndërsa avioni tjetër Bombardier Challenger 300 u ngrit nga Aeroporti Ataturk për në Bejrut në 6:00 të mëngjesit me kohën lokale më 30 dhjetor.

Në nëntor 2019, Ghosn u arrestua në Japoni me akuzat e korrupsionit gjatë mandatit të tij si kryetar i Nissan-it. Autoritetet libaneze njoftuan javën e kaluar ai kishte mbërritur në vend “legalisht”.

Kategoritë
BotaLajme