Turqi, Pendarovski adresohet në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka theksuar se në kuadër të SEECP-së, në periudhën e kaluar janë arritur rezultate të rëndësishme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mbajti fjalim në samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili në kuadër të kryesimit të Turqisë po mbahet në Antalya, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga kabineti i Pendarovskit, në fjalimin e tij, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka theksuar se në kuadër të SEECP-së, në periudhën e kaluar janë arritur rezultate të rëndësishme, si në sferën politike, ekonomike, të sigurisë dhe sociale.

“Ne jemi relativisht të vegjël si vende dhe ekonomi, por së bashku jemi të fortë. Fakti që kemi dallime dhe pikëpamje të ndryshme mbi anëtarësimin në aleanca të ndryshme ndërkombëtare nuk përjashton bashkëpunimin më të ngushtë në të gjitha fushat sektoriale të interesit të përbashkët”, tha Pendarovski, duke përmendur edhe pandeminë COVID-19, e cila thuhet të ketë vendosur mënyra të reja të bashkëpunimit, duke i dhënë përparësi rimëkëmbjes ekonomike të rajonit të Evropës Juglindore.

Pendarovski ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane është në interesat politike, të sigurisë dhe ekonomike të BE-së dhe një investim gjeostrategjik në një bllok të qëndrueshëm dhe të prosperuar.

Sipas deklaratës, Pendarovski ka thënë se Maqedonia e Veriut ka treguar guxim dhe mençuri në zgjidhjen e çështjeve të vështira bilaterale, duke iu referuar Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë drejt ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe tejkalimit të dallimeve përmes dialogut dhe mirëkuptimit.

Kategoritë
BotaLajme