Turqi, rrënimi i “ndërtesës më qesharake në botë” mund të zgjasë rreth tre muaj

Qendra tregtare në Kahramanmaraş për një kohë të gjatë ishte në krye të listës së rezultateve në Google si “ndërtesa më qesharake në botë”

Ndërtesa në jug të Turqisë, e cila prej kohësh kryeson listën e rezultateve në Google si “ndërtesa më qesharake në botë”, është gati për rrënim, raporton Anadolu Agency (AA).

Hayrettin Güngör, kryebashkiaku i qytetit Kahramanmaraş, ku dhe ndodhet ndërtesa, tha se prishja mund të zgjasë tre muaj.

“Ky objekt është ndërtuar 30 vite më parë si qendër e veçantë biznesi, por gjithmonë është kritikuar sepse bie në sy në peizazhin e qytetit”, tha Güngör.

Ndërtesa 18-katëshe ishte një atraksion me një fasadë të kuqe, të verdhë dhe të kaltër, si dhe me shtylla të larta të çuditshme që zënë gjysmën e kateve të poshtme.

Gungor shtoi se është vendosur që ndërtesa të rrënohet dhe është planifikuar një projekt i ri në atë vend.

Banorët e qytetit Kahramanmaraş e mbështetën këtë vendim. Njëri prej tyre, Ismail Kazan, tha se ishte i demoralizuar nga komentet e turistëve që panë ndërtesën.

Edhe Mehmet Fatih Baltutan beson se sheshi do t’i japë qytetit një pamje më të bukur në vend të ndërtesës.

Kategoritë
BotaLajme