Turqi, të ardhurat nga turizmi rriten për 182 për qind në periudhën korrik-shtator

Turqia fitoi 11,4 miliardë dollarë në periudhën korrik-shtator, nga 4 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kriza COVID-19 shkaktoi kolaps të udhëtimeve ndërkombëtare.

Pas një rënie të konsiderueshme vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), të ardhurat e Turqisë nga turizmi u rritën për 181,8 për qind nga viti në vit në tremujorin e tretë të 2021.

Të dhënat e publikuara nga Instituti Turk i Statistikave (TurkStat) bëjnë të ditur se vendi fitoi 11,4 miliardë dollarë në periudhën korrik-shtator, nga 4 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kriza COVID-19 shkaktoi kolaps të udhëtimeve ndërkombëtare.

Kishte kufizime të udhëtimit në mbarë botën, kufijtë u mbyllën, ndërsa kjo rezultoi në një rënie të përgjithshme të kërkesës së konsumatorëve.

Turqia mirëpriti 13,6 milionë vizitorë në periudhën tre mujore, që shënon rritje prej 143,4 për qind në bazë vjetore. Në këtë kontribuoi edhe lehtësimi i kufizimeve dhe vaksinimi në shumë pjesë të botës.

Përderisa 84 për qind, ose 11,5 milionë vizitorë ishin shtetas të huaj, 16 për qind apo 2,2 milionë ishin shtetas turq që banonin jashtë vendit.

Kategoritë
BotaLajme