Turqia dënon fuqishëm vrasjen e 7 palestinezëve nga Izraeli

Ministria e Jashtme turke po ashtu dënoi intervenimin mbi muslimanët në xhaminë Al-Aksa këtë mëngjes.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka dënuar sot vrasjen e shtatë palestinezëve nga forcat izraelite.

“E konsiderojmë të papranueshme dhe dënojmë fuqishëm vrasjen e shtatë palestinezëve, njëri prej tyre fëmijë, nga forcat izraelite të sigurisë në qytete të ndryshme në Palestinë, veçanërisht në Jenin, dhe intervenimin mbi muslimanët në xhaminë Al-Aksa për adhurim këtë mëngjes, duke shkaktuar lëndime”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet në rritje në rajon ditët e fundit”, thuhet në deklaratë, e cila përsëriti nevojën për të respektuar shenjtërinë e Al-Aksasë, veçanërisht gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

Ankaraja shprehu gjithashtu ngushëllime për civilët që humbën jetën dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, në vazhdën e bastisjeve të përsëritura izraelite për të arrestuar palestinezët e “kërkuar”.

Kategoritë
BotaLajme