Turqia dërgon trenin e katërt humanitar në Afganistan

Strukturat humanitare dhe institucionet shtetërore të Turqisë vazhdojnë të ndihmojnë popullin afgan.

Treni i katërt me ndihma humanitare do të niset nga Turqia për në Afganistan të mërkurën, më 30 mars. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia për Menaxhimin e Pasojave të Fatkeqësive dhe Situatave Emergjente (AFAD).

Në një deklaratë të shkruar, AFAD tërheq vëmendjen tek të dhënat e OKB-së, sipas të cilave, sot rreth 24,4 milionë njerëz në Afganistan kanë nevojë për ndihmë, kurse më shumë se 12 milionë fëmijë vuajnë nga uria.

Populli turk nuk mund të qëndronte indiferent ndaj situatës në të cilën u gjendën afganët dhe i mobilizoi forcat për të ndihmuar Afganistanin, thekson departamenti.

Në periudhën janar-shkurt të këtij viti nga Turqia në Afganistan janë dërguar 7 trena me ndihma humanitare. Mbledhja e ndihmave bëhet nga OJQ-të bamirëse në kuadër të aksionit humanitar “Treni i Mirësisë për Afganistanin” nën koordinimin e AFAD-it, me direktivë të Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Në total në Afganistan deri tani janë dërguar 2.663 tonë ndihma humanitare.

AFAD raporton se 25 organizata joqeveritare (OJQ), duke përfshirë Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe Fondacionin e Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë, i bashkuan edhe një herë forcat për të mbështetur afganët dhe u formua kështu një kolonë tjetër me ndihma.

Me trenin e katërt që do të niset nesër (30 mars) do të dërgohen në Afganistan 68 kontejnerë të ngarkuar me 1.478 tonë ndihma (ushqime, veshmbathje, batanije, materiale shëndetësore dhe higjienike).

Kategoritë
BotaLajme