“Turqia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta dhe kjo është baza e miqësisë”

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Abdi Baleta, për Anadolu Agency (AA) vlerësoi se traktati i vitit 1923 ka hedhur themelet për miqësinë shqiptaro-turke.

Turqia dhe Shqipëria shënojnë këtë dhjetor 98-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të miqësisë së përjetshme midis dy vendeve, ndërkohë marrëdhëniet Turqi-Shqipëri aktualisht janë ngritur edhe zyrtarisht në nivelin e partneritetit strategjik dhe janë shtuar edhe vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë në vitet e fundit.

Sipas burimeve zyrtare diplomatike, ky traktat përbëhej nga pjesa për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike, për çështjet konsullore dhe për marrëveshjet e shtetësisë.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Abdi Baleta, për Anadolu Agency (AA) vlerësoi se traktati i vitit 1923 ka hedhur themelet për miqësinë shqiptaro-turke.

“Marrëdhëniet shqiptaro-turke treguan vlerën e tyre që atëherë, prandaj ai traktat ka pasur shumë rëndësi. Traktati ka pasur rëndësi edhe për faktin se ka ardhur në momentin mjaft delikat për Shqipërinë, në një kohë kur ne shqiptarët ishim përballë rrezikut grek në jug. Fitorja e Ataturkut në Anadoll dhe traktati i miqësisë bënë që Greqia të neutralizohej, të mos kishte më forcë për të sulmuar Shqipërinë”, tha Baleta.

Ai theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi do të merrnin rrugën e të mirës, sepse sipas tij, dy vendet kanë interesa të përbashkëta “shikuar në prizmin e interesave moderne që kishin dy shtetet, që objektivisht janë të destinuara që të ja kenë nevojën njëri-tjetrit”.

Ish-diplomati Baleta vlerëson se marrëdhëniet turko-shqiptare kanë qenë të mira edhe gjatë komunizmit, por të kufizuara.

– “Me Turqinë është partneriteti më i besueshëm, më i fortë dhe më i qëndrueshëm”

Në kontekstin aktual të marrëdhënieve midis dy vendeve që janë zyrtarizuar në partneritet strategjik, ai shprehet se me Turqinë është partneriteti më i besueshëm, më i fortë dhe më i qëndrueshëm në raport me partnerë të tjerë, sepse sipas tij objektivisht të dyja vendet kanë nevojë për këtë partneritet.

“Pra Turqia (dhe Shqipëria), duam apo nuk duam, pavarësisht se cila parti është në Turqi dhe cila parti është në Shqipëri, janë të destinuara që të kenë marrëdhënie partneriteti strategjik me njëra-tjetrën. Unë partitë politike që ndërrohen në Turqi, apo forcat politike, ushtarake, civile, i konsideroj gjithmonë miq të Shqipërisë, sepse nuk kanë asnjë interes objektiv për të punuar kundër Shqipërisë”, tha Baleta.

Për rolin e Turqisë në Shqipëri apo në Ballkan në tërësi, ai tha se Turqia aktualisht luan rol që e vlerësojnë të gjithë. Sipas tij, pa Turqinë, nuk mund të zgjidhet asnjë problem, jo vetëm i Ballkanit, por edhe të krizave gjeostrategjike dhe historike.

“Pa faktorin turk asgjë nuk bëhet në zonën e ‘tërmeteve’ gjeostrategjike. Asgjë nuk mund të bëhet pa faktorin Turqi, sepse gjeografikisht është zemra, është syri i ciklopit, prandaj roli i Turqisë është i madh”, tha ai.

Ai foli edhe për presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe rolin e tij për forcimin e Turqisë, duke theksuar se “Kur Turqia forcohet shumë unë kam simpati për politikën e Turqisë. Presidenti Erdoğan forcoi rolin e Turqisë. Menjëherë pas grushtit të shtetit e kam shprehur pikëpamjen që nëse e kalon me sukses këtë grusht shteti bëhet njeriu më i rëndësishëm i Turqisë, në historinë e Turqisë, pas Ataturkut. Kështu që mua me vjen mirë kur Turqia rrit rolin e saj, rrit peshën e saj specifike, rrit sedrën e saj gjeostrategjike se shkon e gjitha në favor të Shqipërisë”.

– “Në fushën ushtarake Turqia është faktori më i rëndësishëm për interesat e Shqipërisë”

Baleta vlerëson më tej se “Në fushën ushtarake Turqia pa diskutim është faktori më i rëndësishëm për interesat e Shqipërisë. Marrëdhëniet shtetërore i ka parë në këtë prizëm, shtet me shtet, jo ideologji me ideologji, jo parti me parti, sepse Turqia e ka për fat të mirë këtë objektiv, që marrëdhëniet shtetërore janë përparësi, nuk janë ideologjitë, nuk janë tarafet, pra është Shqipëria me Turqinë. Unë këtë uroj gjithmonë që edhe Turqia e sotme të forcohet sa më shumë sepse vlerësohet roli i saj shtetëror për Shqipërinë”.

Ai theksoi se edhe në krizën e firmave piramidale në vitin 1997 në Shqipëri ishte faktori turk që e përmbysi planin që sipas tij ishte bërë për ta copëtuar Shqipërinë.

Ai tha se Turqia është partneri më i besueshëm dhe i përhershëm në raport me parterët e tjerë, sipas tij edhe për shkak të simpative që ekzistojnë midis dy vendeve, “sepse opinioni publik në Turqi është totalisht në favor të Shqipërisë. “Është i vetmi vend ku ti mund të shkosh e të thuash jam arnavut (shqiptar) dhe të hapin derën, kurse po të shkosh në vendet e tjera të largohen sikur ke zgjeben”, tha ai.

“Unë dua miqësinë, traktatet e miqësisë janë gjëra që shërbejnë, mirë është të ketë, sepse është një shenjë, është një mesazh. Traktatet e miqësinë nuk janë ata që bëjnë miqësinë, miqësinë e bën historia, miqësinë e bën përputhja e interesave, miqësinë e bën sinqeriteti i palëve, miqësinë e bëjnë mbi të gjitha interesat e përbashkëta. Turqia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta dhe kjo është baza e miqësisë, kur formulohen pastaj në traktat miqësie, aq më mirë sepse bëhet e njohur publikisht dhe mesazhi është më i qartë”, theksoi ish-diplomati Baleta.

Që pas rënies së komunizmit, Turqia ka ofruar ndihmë për Shqipërinë në sektorë të ndryshëm dhe gjatë fatkeqësive natyrore, ku në vitet e fundit spikasin ndihmat për banesat e familjeve që u prekën nga tërmeti i nëntorit 2019, ndërtimi i Spitalit Rajonal Memorial në Fier, Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, kompania ajrore Air Albania dhe restaurimi i monumenteve të kulturës.

Kujtojmë se marrëdhëniet Turqi-Shqipëri u zyrtarizuan në nivelin e partneritetit strategjik, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në janar të këtij viti.

Kategoritë
LajmeRajoni