Turqia drejt rekordit në eksportin e shegës

“Synimi ynë për këtë vit është 140 milionë dollarë. Shpresojmë ta arrijmë këtë synim. Do ta arrijmë cakun më lehtë duke hyrë në vende që nuk kemi qenë më parë”, tha kreu i Shoqatës së Eksportuesve të Frutave dhe Perimeve të Egjeut

Eksportet e shegës së Turqisë në periudhën janar-shtator të këtij viti u rritën me 19 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe iu afruan shifrës prej 69 milionë dollarëve.

Në prodhimin e shegëve, rrethi Selçuk i Izmirit ka spikatur kohët e fundit. Në këtë zonë, 9 mijë tonë shegë rritet çdo vit në një sipërfaqe prej 4 mijë dekarësh. Rreth 70 për qind e shegës së Selçukut dërgohet jashtë vendit.

Koha e vjeljes së shegëve fillon me lindjen e diellit. Vjelja, e cila vazhdon mes pemëve me gjemba, përfundon kur “kamioni të jetë mbushur”, siç thonë punëtorët e bujqësisë.

Shegët, të cilat mblidhen me shumë përpjekje nga degët e dendura, së pari futen në arka, ngarkohen në kamionë dhe dërgohen në objektet e paketimit.

– Eksportet u rritën me 19 për qind

Sipas informacionit të përpiluar nga korrespondenti i AA-së nga të dhënat e Shoqatës së Eksportuesve të Egjeut, eksportet e shegës së Turqisë thyen një rekord me 126 milionë dollarë në vitin 2020.

Ndërkaq, në periudhën nëntëmujore të këtij viti, eksportet e shegës u rritën me 19 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe arritën në 68 milionë e 966 mijë dollarë. Iraku u rendit i pari në mesin e vendeve të destinuara me 20 milionë dollarë. Ky vend u pasua nga Rusia me 17,2 milionë dollarë dhe Gjermania me 6,4 milionë dollarë.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Frutave dhe Perimeve të Egjeut, Hayrettin Uçak, tha për AA se eksportet e shegës filluan me një tempo të shpejtë këtë sezon, i cili nisi në muajin gusht.

“Eksportet tona u rritën nga 4,8 milionë dollarë në 6,2 milionë dollarë në periudhën gusht-shtator. Kjo do të përshpejtohet me vazhdimin e vjeljes dhe me kalimin e kohës drejt dimrit”, u shpreh Uçak.

Ai tha se rendimenti i këtij viti është më i ulët sesa i vitit të kaluar, por theksoi se cilësia është shumë e mirë.

“Synimi ynë për këtë vit është 140 milionë dollarë. Shpresojmë ta arrijmë këtë synim. Do ta arrijmë cakun më lehtë duke hyrë në vende që nuk kemi qenë më parë”, shtoi Uçak.

Kategoritë
BotaLajme