Turqia e thyen rekordin: 496.7 miliard dollarë vëllimi i tregtisë së jashtme, rritja më e madhe e eksportit ishte për në SHBA!

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan tha se shifrat e eksportit të arritura në vitin 2021 ishin në nivele rekord.

Erdogan njoftoi shifrat e tregtisë së jashtme për vitin 2021 në një konferencë shtypi në Stamboll.

“Turqia është bërë një vend që menaxhon krizat dhe madje i kthen krizat në mundësi. Eksportet tona totale për vitin 2021 ishin 225 miliardë e 368 milionë dollarë, një rritje prej 32,9 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ky është një rekord”, tha ai.

“Ne e kemi rritur vëllimin tonë të tregtisë së jashtme nga 87,6 miliardë dollarë që ishte në 2002, në 496,7 miliardë dollarë në 2021”, deklaroi Presidenti Erdogan, ndërsa shtoi se “kështu, u arrit vlera më e lartë e eksportit në historinë republikane në 75 grupe të produkteve të eksportuara”.

Në mes tjerash, kreu i shtetit turk tha se deficiti i tregtisë së jashtme ra për 7,8 për qind në krahasim me një vit më parë në 45,9 miliardë dollarë, ndërsa raporti i mbulimit të importeve nga eksportet u rrit në 83,1 për qind.

Presidenti bëri të ditur se rritja më e madhe e eksporteve ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Eksportet tona u rritën me 86,6 për qind në Amerikën e Jugut, 29 për qind në vendet joevropiane, 22,6 për qind në Lindjen e Afërt dhe të Mesme dhe 44,8 për qind në Afrikën e Veriut. Ne jemi duke konkurruar me botën tani dhe jemi në një garë globale. Kemi vendosur një rekord eksporti në 11 nga 12 muajt e fundit. Turqia ka bërë pikërisht këtë. Me këto shifra, Turqia është bërë një vend që ka fjalën e saj në tregtinë botërore”, ka thënë Erdogan.

Ai deklaroi se po rritet dita-ditës numri i vendeve, në të cilat tregtohet me lirën turke.

“Në vitin 2021, ne kemi eksportuar në 205 vende dhe rajone me monedhën tonë kombëtare. Vëllimi i tregtisë së jashtme që kemi bërë me lirën turke, ka arritur në 183 miliardë lira. Shohim që ecuria e saj e fortë në tregtinë e mallrave reflektohet pozitivisht në tregtinë tonë të shërbimeve”, bëri të ditur kreu i shtetit turk.

Presidenti Erdogan shtoi se “janë duke i rishikuar objektivat e eksportit për vitin 2022 në 250 miliardë dollarë”.

Kategoritë
BotaLajme