Turqia, gati për prodhimin e mjetit të parë luftarak pa pilot për mbrojtje kundër nëndetëseve

Alanç tha se produkti më i ri në panair që i është bashkuar familjes së mjeteve detare pa pilot ULAQ është mjeti luftarak pa pilot për mbrojtjen kundër nëndetëseve.

Kantieri ARES i cili ka zhvilluar serinë ULAQ i cili është mjeti i parë detar pa pilot i industrisë turke të mbrojtjes, ka përfunduar përgatitjet për të prodhuar mjetin e parë luftarak pa pilot për mbrojtjen kundër nëndetëseve (ULAQ DSH/ASW).

Utku Alanç, drejtori i përgjithshëm i Kantierit ARES, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2021) rikujtoi se kanë kryer goditje raketore të udhëzuar me lazer me mjetin e parë detar pa pilot ULAQ dhe se objektivi është goditur me sukses.

Duke bërë të ditur se ndodhen në fazën e zhvillimit të koncepteve të reja në mjetet detare pa pilot, Alanç tha se produkti më i ri në panair që i është bashkuar familjes së mjeteve detare pa pilot ULAQ është mjeti luftarak pa pilot për mbrojtjen kundër nëndetëseve.

Ai nënvizoi se kanë bërë zhvillime në dy fusha të ndryshme produktesh në konceptim e anijes luftarake për mbrojtjen kundër nëndetëseve.

“Vërejmë se kryesisht nëndetëset e vogla ose zhytësit që hyjnë në bazat kritike dhe porte me qëllim sabotimi, kohët e fundit janë bërë elementë kërcënimi. Kemi projektuar anije luftarake shumë të ndjeshme për mbrojtjen nga nëndetëset që mund të punojnë në këtë fushë. Një kontribut të madh për këtë ka pasur partneri ynë në projekt Meteksan Defense. Do të fillojmë prodhimin e anijes luftarake për mbrojtjen nga nëndetëset të cilin e kemi zhvilluar bashkë me ata. Jemi të gatshëm për mjetin luftarak pa pilot në mbrojtjen kundër nëndetëseve. Projektimi ynë ka përfunduar plotësisht. Kemi bërë çka kemi mundur që ta përfshijmë këtë brenda 2021. Sërish objektivi ynë janë forcat tona të sigurisë dhe më pas eksportimi”, theksoi Alanç.

Ai tha se kanë arritur në nivelin 90 të normës për prodhim vendas që kanë synuar në të gjitha mjetet detare pa pilot dhe se të gjitha sistemet e armëve që përdoren janë plotësisht vendase.

Në fjalën e tij, Alanç potencoi se prodhimin për mjetet luftarake mbi ujë për të cilat kanë nevojë aktualisht do ta fillojnë në tetor dhe se pas kalimit në prodhim seri do të arrijnë kapacitetin për prodhimin e 50 mjeteve detare pa pilot në vit.

– “Presim nga Katari një projekt të anijeve për shuarjen e zjarreve”

Alanç tha se prej rreth 5 vitesh kompania ARES kryen shitjen e produkteve për Katarin.

“Ne kemi prodhuar pothuajse të gjitha anijet e flotës së re të komandës së sigurisë bregdetare të Katarit. Kemi trajnuar rreth 500 anëtarë të personelit të Katarit dhe aktualisht punojmë në mënyrë aktive atje. Po presim nga Katari një projekt të anijeve për shuarjen e zjarreve. Duke e sjellë këtë projekt edhe në Turqi synojmë të sigurojmë hyrje të të ardhurave të valutës. Po ashtu jemi aktivë edhe në Oman, ku kemi në vazhdim projekt për anije ushtarake. Dhe ky është eksportimi i parë që është kryer deri më tani nga Turqia në Oman. Po ashtu kemi shitje të anijeve edhe në Afrikë. Në një kohë të shkurtër synojmë të hymë edhe në tregun e Amerikës Jugore të cilin ne e cilësojmë si të vështirë”, tha Alanç.

Kategoritë
BotaLajme