Turqia i dhuroi Armatës së Maqedonisë së Veriut një tren tërheqës për tanke dhe makineri të rëndë

Ministrja Shekerinska theksoi se këto ditë jemi dëshmitarë të bashkëpunimit shumë të fuqishëm në pjesën e mbrojtjes dhe mbështetjes ushtarake mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

Republika e Turqisë për Armatën e Maqedonisë së Veriut ka dhuruar një tren tërheqës për tanke dhe makineri të rëndë, të prodhimit vendor, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas pranim-dorëzimit të donacionit që u realizua në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska dhe ambasadori i Republikës së Turqisë, Hasan Mehmet Sekizkök, dhan deklarata për mediat.

Ministrja Shekerinska theksoi se këto ditë jemi dëshmitarë të bashkëpunimit shumë të fuqishëm në pjesën e mbrojtjes dhe mbështetjes ushtarake mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Ajo tha se kjo është rezultat i aleancës shumë vjeçare dhe miqësisë dhe i qëllimit të përbashkët, “si anëtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake politike që të sigurojmë rajon të sigurt dhe të vazhdojmë marrëdhëniet miqësore mes popujve tanë”.

“Kjo është një pjesë e mbështetjes që me vite me radhë që Republika e Turqisë ia jep Armatës sonë dhe mund të shihnit se gjatë viteve të fundit me të vërtetë kjo mbështetje bëhet më intensive dhe orvatemi të bëhet edhe më e dukshme. Pikërisht që të dinë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata turq se seriozisht punojmë në marrëdhëniet tona të shkëlqyera në pjesën e mbrojtjes”, theksoi Shekerinska.

Duke deklaruar se sot është e kënaqur që së bashku me ambasadorin e Turqisë mund të shohin të ashtuquajturin tren tërheqës që është një pajisje shumë e rëndësishme, theksoi se do të sigurojë të gjitha parakushtet e nevojshme për logjistikën e vendit dhe veçanërisht për transportin e njësive.

“Me këtë tren tërheqës që është prodhuar në Republikën e Turqisë dhe i cili tregon edhe fuqinë e industrisë mbrojtëse tek miqtë tanë do të sigurojmë transport të plotë, të sigurt dhe efikas të shumë njësive tona”, shtoi Shekerinska.

Ambasadori Sekizkök theksoi se kjo ceremoni e pranim-dorëzimit është simbol i vëllazërisë dhe bashkëpunimit aktual intensiv në zonën ushtarake mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në fillim të fjalimit tim do të dëshirojë të potencojë se Maqedoninë e Veriut e konsiderojmë si një partner shumë të rëndësishëm për Turqinë në Ballkan. Qëllimi ynë është që me përpjekje të përbashkëta t’i avancojmë marrëdhëniet tona shumëdimensionale në të gjitha sferat”, theksoi ambasadori Sekizkök.

Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, siç theksoi ambasadori Sekizkök, edhe më shumë do të forcohet bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve dhe kjo po realizohet me hapa konkret siç është ngjarja e sotme.

Duke theksuar se edhe në të ardhmen në mënyrë maksimale do të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë mundësitë për bashkëpunim nga sfera e industrisë mbrojtëse, ambasadori Sekizkök tha se Turqia si një vend me renome ndërkombëtare me vlera të akumuluara në sferën e industrisë mbrojtëse do të vazhdojë edhe në të ardhmen ta mbështesë aleatin e saj përmes bartjes së përvojave dhe cilësisë së saj në Maqedoninë e Veriut.

Ambasadori turk po ashtu shtoi se ardhmëria e bashkëpunimit ushtarak mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jetë e ndritshme.​​​​​​​

Kategoritë
LajmeRajoni