“Turqia i kushton rëndësi marrëdhënieve me komunitetin musliman në SHBA”

Zëdhënësi presidencial İbrahim Kalın mori pjesë në Konventën e Shoqërisë Muslimane Amerikane dhe Rrethit Islamik të Amerikës së Veriut (MAS-ICNA).

Turqia i kushton rëndësi marrëdhënieve të shëndetshme dhe të forta me komunitetin musliman në SHBA, tha zëdhënësi presidencial i vendit, İbrahim Kalın, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e tij erdhën në darkën gala të Konventës së Shoqërisë Muslimane Amerikane dhe Rrethit Islamik të Amerikës së Veriut (MAS-ICNA), një nga konventat më të mëdha islame që mbahet çdo vit në Amerikën e Veriut.

Zyrtari turk tha se feja është më shumë se thjesht një sistem besimi pasi lidhet edhe me çështjet e spiritualitetit, drejtësisë dhe mirësisë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, nga ana e tij, dërgoi një video-mesazh për ngjarjen në të cilën ai bëri thirrje për forcimin e mëtejshëm të solidaritetit kundër racizmit kulturor, ksenofobisë dhe islamofobisë, të cilat kanë marrë vrull gjatë pandemisë COVID-19.

“Të gjithë muslimanët janë vëllezër dhe motra, pavarësisht nga origjina, ngjyra e lëkurës, kombi, kultura, medhhebi i tyre”, tha Erdoğan, duke shtuar se në Islam nuk ka vend për përjashtim, nxitje apo terror.

Udhëheqësi turk u bëri thirrje muslimanëve që të mos dorëzohen përballë kërcënimeve kundër ekzistencës së tyre dhe të përpiqen të zënë vendin e tyre të merituar në botë.

Kategoritë
BotaLajme