Turqia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë

Turqia nuk ka ndërmend t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për luftën e saj me Ukrainën, tha të martën kryediplomati turk, Mevlut Çavushollu.

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) e tha këtë gjatë një transmetimi direkt në një televizion privat, ku ai iu përgjigj pyetjeve lidhur me aktualitetin dhe luftën Rusi-Ukrainë, që vazhdon nga 24 shkurti e këtej.

Ministri Çavushollu deklaroi se Turqia po i shqyrton një e nga një vendimet për sanksione kundër Rusisë.

Si parim, ne nuk kemi marrë pjesë në sanksione të tilla në një kuptim të përgjithshëm. Ne nuk kemi ndërmend të bashkohemi as në këto sanksione,” shtoi ai.

Ministri Çavushollu tha se Turqisë nuk i ka ardhur asnjë kërkesë apo presion për të marrë pjesë në sanksionet kundër Rusisë.

“Cili është ndikimi i këtyre [sanksioneve] në ekonominë tonë; cili do të jetë ndikimi i tyre në sigurinë e furnizimit me energji, duke përfshirë hapësirën ajrore. Në kuptimin e përgjithshëm ne nuk kemi marrë pjesë në sanksione të tilla në parim dhe nuk kemi ndërmend t’ua bashkohemi as këtyre sanksioneve”,- sqaroi ai.

Një zyrtar tjetër turk që njoftoi se Ankaraja nuk ka në plan të vendosë sanksione ndaj Rusisë ishte edhe zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın).

“Duhet të ketë një aktor që mund të flasë me Rusinë. Kush do të flasë me Rusinë kur të gjithë t’i kenë këputur (prerë) urat me të? Për ta mbajtur të hapur këtë kanal ne nuk po planifikojmë një paketë sanksionesh”,- u shpreh ai në vlerësimin që i bëri aktualitetit për një televizion privat.

Kallën tha se dëshirojnë që nga negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase të dalë vendimi për armëpushim.

Rusia ka kërkesa joreale, si: njohja e Krimesë, çarmatimi i Ukrainës. Nga këndvështrimi ynë këto janë kërkesa të papranueshme. Fokusi ynë është tek përfundimi i kësaj lufte, dalja e vendimit të armëpushimit nga tryeza e bisedimeve dhe hapja e një korridori humanitar”,- komentoi zëdhënësi.

Kallën vuri në dukje se qëllimi kryesor i presidentit rus Vladimir Putin është të bëjë një kompromis më të madh me Perëndimin.

“Ne vazhdojmë qasjen tonë këtu pa i këputur urat me Rusinë, duke mbështetur Ukrainën dhe duke ruajtur komunikimin me Perëndimin”,- tha ai.

“Duhet të veprojmë duke marrë parasysh prioritetet e vendit tonë. Duhet të ketë një aktor që mund të flasë me Rusinë. Kush do të flasë me Rusinë kur t’i kenë këputur të gjithë urat me Rusinë? Për ta mbajtur të hapur këtë kanal ne nuk po planifikojmë një paketë sanksionesh”,- përfundoi zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën.

Kategoritë
BotaLajme