Turqia restauron dy kisha historike të dëmtuara nga terroristët e PKK-së

Sipas shifrave zyrtare, rreth 32 milionë lira turke u shpenzuan për restaurimin e kishës armene Surp Giragos dhe kishës kaldeane Mar Petyun në provincën Diyarbakır

Ka përfunduar restaurimi i dy kishave historike në Turqinë juglindore, të cilat u dëmtuan nga grupi terrorist PKK në vitin 2015, raporton Anadolu Agency (AA).Sipas shifrave zyrtare, rreth 32 milionë lira turke u shpenzuan për restaurimin e kishës armene Surp Giragos dhe kishës kaldeane Mar Petyun në provincën Diyarbakır.

Ministria e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike të Turqisë siguroi fondet për restaurimin, i cili filloi në vitin 2019.

Të dyja kishat, të ndërtuara gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, do të rihapin dyert e tyre për rituale më 7 maj.

Duke folur për AA, Ergun Ayik, kreu i Fondacionit të Kishës Armene Surp Giragos, tha se restaurimi ishte në përputhje me strukturën origjinale.

Në vend të çimentos, “u përdor llaç i vjetër dhe gur bazalt i rajonit dhe gjithçka u bë në mënyrë perfekte”, tha Ayik, duke shtuar se është i lumtur që kishat do të rihapen së shpejti.

E ndërtuar në shekullin e 16-të, Surp Giragos është kisha më e madhe armene në Lindjen e Mesme dhe shtrihet në 3.000 metra katrorë.

Kisha kaldeane Mar Petyun u ndërtua në shekullin e 17-të dhe u përdor nga komuniteti lokal kaldean.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Kategoritë
BotaLajme