Turqia shënon 98-vjetorin e Ditës së Republikës

Manifestimet filluan sot me vizitën e zyrtarëve shtetërorë në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë

Festimet në Turqi për shënimin e 98-vjetorit të themelimit të Republikës kanë nisur sot me vizitën e zyrtarëve shtetërorë në Anitkabir, mauzoleun e themeluesit të vendit Mustafa Kemal Ataturk, në kryeqytetin Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Recep Tayyp Erdoğan, i cili vizitoi Anitkabirin për të shënuar Ditën e Republikës, theksoi vendosmërinë për të arritur objektivat e vitit 2023, kur republika do të festojë njëqindvjetorin e saj.

“Si anëtarë të një kombi heroik me një të kaluar të lavdishme që është plot fitore, jemi të vendosur në synimet që Republika jonë të arrijë objektivat e vendosura për vitin 2023”, shkroi Erdoğan në librin përkujtimor të Anitkabir.

Presidenti do të pranojë më vonë përshëndetjet në kompleksin presidencial.

Dita e Republikës po festohet në gjithë Turqinë, përfaqësitë e saj jashtë vendit dhe Republikën Turke të Qipros Veriore.

Ceremonia e qeverisë në Ankara do të shoqërohet me ngjarje të ndryshme, duke përfshirë koncerte, marshime dhe fishekzjarrë në gjithë vendin.

Më 29 tetor 1923, Ataturku zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe shpalli statusin e vendit si republikë.

Më pas u zhvillua një votim në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Ataturku, burrë shteti revolucionar, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë me votim unanim.

Që atëherë, Turqia feston Ditën e Republikës më 29 tetor çdo vit.

Gjithashtu gjatë shënimit të Ditës së Republikës, zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay deklaroi sot se vendi mbron pavarësinë e saj sot, siç bëri në të kaluarën, dhe se vendi ecën me vendosmëri në rrugën drejt një Turqie të fuqishme.

Kategoritë
BotaLajme