“Turqinë do ta dërgojmë në ligën e parë në sektorin e hapësirës”

Kreu i Agjencisë Hapësinore të Turqisë tha se vendi ka zhvilluar aktivitete hapësinore rreth 20 vjet por nuk kanë pasur agjenci sikur shtetet e tjera të zhvilluara, porse me urdhrin e presidentit Erdoğan kjo mungesë është zgjidhur përfundimisht

Kryetari i Agjencisë Hapësinore të Turqisë (TUA), Serdar Hüseyin Yıldırım, tha se duke i aplikuar objektivat e Programit Kombëtar Hapësinor, do ta ngrenë Turqinë në ligën e parë në sektorin e hapësirës, raporton Anadolu Agency (AA).

Yıldırım u prononcua për gazetarët në Azerbajxhan, ku ai udhëtoi për të zhvilluar disa takime.

Yıldırım tha se Turqia ka zhvilluar aktivitete hapësinore rreth 20 vjet, por nuk kanë pasur agjenci sikur shtetet e tjera të zhvilluara, porse me urdhrin e presidentit të shtetit Recep Tayyip Erdoğan, kjo mungesë është zgjidhur përfundimisht.

Duke theksuar se presidenti Erdoğan njoftoi Programin Kombëtar të Hapësirës me një vullnet të fortë, Yıldırım tha se do të ecin drejt dhjetë objektivave të mëdha brenda dhjetë viteve.

Ai tha se Turqia është në gjendje të ecë vetë në këtë drejtim dhe shtoi se do të dëshironin të ecnin së bashku me vendet miqësore dhe vëllazërore.

“Ky program do të zbardhë fytyrën tonë dhe të vendeve miqësore dhe vëllazërore. Kemi qëllime të mëdha. Të shkojmë në hënë në vitin 2023, kurse në vitin 2028 kemi qëllime si realizimi i punës shkencore duke zbritur mjetin me ulje të butë. Kur ta bëjmë këtë, Turqia do të jetë ngritur në ligën e parë”, tha ai.

Duke theksuar se nuk kanë planifikuar një fluturim hapësinor me njerëz në dhjetë vitet e para, Yıldırım më tej tha: “Nëse e themi këtë, ne do të themi diçka që nuk është e mundur. Është një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Vetëm tri shtete në botë mund të bëjnë fluturime hapësinore me njerëz. Ne do ta bëjmë këtë me bashkëpunim ndërkombëtar. Qëllimi ynë është të bëjmë analiza shkencore në hapësirë. Për shkak se disa eksperimente shkencore mund të bëhen më qartë në një mjedis pa gravitet. Ne do ta çojmë vendin tonë në ligën e parë me qëllime të ndryshme”, deklaroi Yıldırım.

Yıldırım tha se Azerbajxhani ka një kapacitet të caktuar me organizatën e saj të quajtur Azerkosmos, e cila është një agjenci hapësinore dhe operator satelitor, dhe se ai do të bisedojë me zyrtarët e Azerbajxhanit për ato çështje që ata mund të bashkëpunojnë brenda fushës së Programit Kombëtar të Hapësirës.

Kategoritë
BotaLajme