U kërkua shkarkimi i saj, kryesuesja e bordit të ShSKUK-së: Ishte teatër i organizuar

Në Komisionin për Shëndetësi u kërkua dorëheqja kryetares së bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi.

E kjo e fundit, në një intervistë për “Info Magazinën” në Klan Kosova” u është kundërpërgjigjur deputetëve të Komisionit për Shëndetësi, në kërkesën e tyre që e njëjta të shkarkohet.

Ajo është shprehur se e gjitha ka qenë vetëm një teatër i sponzorizuar nga grupe të ndryshme të interesit.

“Ajo çka pamë dje ishte një teatër i sponzorizuar nga grupe të ndryshme të interesit, që i unifikojë bashkë, opozitën dhe disa deputetë të pozitës. Ne kemi pas vizita të ndryshme, të vazhdueshme nga komisioni parlamentar për shëndetësi dhe nëse i shihni postimet e tyre, kanë qenë me fjalët më të mira për punën e këtij bordi dhe këtij menaxhmenti. Çka ndryshojë këta tre – katër muajt e fundit”, u shpreh ajo.

Gecaj-Gashi foli edhe për ish-ministrin Zemaj, për të cilin tha se nuk ka pasur njohuri për shëndetësi.

“Fillimisht këtë bord e ka emëruar Ministri Vitia, në Qeverinë Kurti 1, pas tij ka ardh Armend Zemaj, një ministër që të gjithë e dimë që s’ka pasë haber për shëndetësi, edhe ka shku pa marrë vesh asgjë në këtë drejtim. Ai ka pas mundësi me na shkarku prej ditës së parë, nuk po kuptoj pse nuk na ka shkarku nëse jemi aq jokompetent. Ai qenka kompetent për shëndetësi, e ne që punojmë që 25 vjet me tituj akademik e shkencor, nuk qenkemi”, u shpreh ajo.

Ajo foli edhe për operacionet, për të cilat u tha se janë 7 mijë më pak se në vitin 2019 dhe 4 mijë më shumë se në vitin 2020.

“Ky bord ka punuar me përkushtim të plotë. Nuk është e vërtetë që janë 20 mijë operacione më pak, janë 7 mijë më pak se në vitin 2019, 4 mijë më shumë se në vitin 2020. Riorganizimi i stafit. Në vitin 2021 jemi përballë me valët më të ashpëra të pandemisë, operacionet janë shtyrë në të gjithë botën”, u shpreh tutje Gecaj-Gashi.

Kategoritë
LajmeVendi