U lanë sot në burg, këta janë dy shokët e 21-vjeçarit që vrau nënkomisarin e Lezhës

Dy të rinjtë në foto janë Kristian Sheri dhe Armando Marku, dy shokët e 21-vjeçarit Aldi Rama i cili i mori jetën nënkomisarit të Lezhës Saimir Hoxha. Trupa gjykuese dha masën sot “arrest me burg pa afat” për të dy.

Avokati i tyre, Gjon Huli tha para mediave se ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale, pasi i janë bindur policisë. Madje, sipas tij, ata e ndihmuan policinë për të vënë në ambulancë të plagosurin, Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë më vonë.

Kujtojmë se Kristian Sheri dhe Armando Marku ishin në një automjet me 21-vjeçarin Aldi Rama në zonën Kune-Vain të Lezhës në momentin kur tre efektivët e policisë, mes tyre edhe Saimir Hoxha i ndaluan për kontroll.

Sheri dhe Marku iu bindën urdhrit dhe zbritën nga automjeti, ndërsa Rama nuk e bëri një gjë të tillë.

“Nuk jam për t’u kontrolluar” u bë me dije se i ka thënë ai nënkomisarit Saimir Hoxha dhe e qëlloi menjëherë pa paralajmërim, ndërsa ky i fundit gjeti vdekjen pak çaste më vonë.

Pasi qëlloi me dy plumba efektivin, 21-vjeçari u arratis me automjet. I riu u gjet pas disa orësh, i plagosur në gjendje të rëndë, pasi qëlloi veten. Aldi Rama humbi jetën në spitalin e Traumës.

Kategoritë
LajmeRajoni