U vaksinuan, por tani sërish me Covid

Shteti i Sejshelit po provon se vaksinat kundër koronavirusit nuk të mbrojnë tërësisht dhe se duhen vijuar masat parandaluese antikovid.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po analizon faktet se pse shteti i vogël në perëndim të Oqeanit Indian po raporton një shpërthim rastesh infeksioni edhe pse ka imunizuar mbi 60 për qind të popullsisë me të dyja dozat.

Autoritetet e Sejshelit thanë se në 8 ditët e para të majit regjistruan 200 të infektuar të rinj, dhe nga ta, 37 për qind ishin vaksinuar plotësisht.

Mes tyre, 80 për qind që kërkuan ndihmë spitalore nuk ishin vaksinuar.

Ish-kolonia britanike ka përdorur vaksinat kineze “Sinopharm” dhe anglezen “AstraZeneca” për popullsinë e vet prej 100 mijë banorësh.

OBSH-ja thotë se “Sinopharm” është 79 për qind efikase te personat simptimatikë me kovid-19 dhe mund të përdoret në raste urgjence.

Sipas organizatës, distancimi social, maskat dhe higjiena e duarve janë masa që duhen respektuar pavarësisht se personi mund të jetë vaksinuar.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme