Ukraina akuzon Rusinë se kërkon mercenarë dhe terroristë për të luftuar luftën e saj

“Ata kërkojnë mercenarë nga e gjithë bota. Ata po dërgojnë militantë nga të gjitha grupet terroriste dhe ushtritë private që u krijuan nga disa prej zyrtarëve rusë”, tha presidenti Zelenskyy

Ukraina ka akuzuar Moskën se po përpiqet të rekrutojë mercenarë, militantë dhe terroristë për të zhvilluar luftën ruse kundër fqinjit të saj perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ata kërkojnë mercenarë nga e gjithë bota. Ata po dërgojnë militantë nga të gjitha grupet terroriste dhe ushtritë private që u krijuan nga disa prej zyrtarëve rusë”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një video-fjalim në parlamentin e Finlandës, duke vazhduar adresimet e tij para ligjvënësve të huaj në kërkim të një linje më të ashpër kundër Moskës.

Zelenskyy përshëndeti Finlandën për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar gjithashtu se “lufta e Rusisë kundër Ukrainës është vendimtare” jo vetëm për të ardhmen e Ukrainës dhe popullit të saj, por edhe për të gjithë ata që janë në kufi me Rusinë.

Rusia dhe Finlanda ndajnë një kufi prej 1.340 kilometrash dhe në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore trupat ruse pushtuan Finlandën.

Zelenskyy më tej kërkoi ndërprerjen e të gjitha lidhjeve ekonomike me Rusinë, duke bërë presion për një embargo të plotë evropiane ndaj naftës ruse.

Kategoritë
BotaLajme