Ukraina shpall 16 shkurtin si “Dita e unitetit”

Kjo vjen pasi raportet në mediat amerikane pretendonin se presidenti Joe Biden u tha liderëve të vendeve aleate perëndimore se Rusia mund ta sulmojë Ukrainën më 16 shkurt

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shpallur 16 shkurtin si “Dita e unitetit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne e shpallëm atë si Dita e Unitetit. Vendimi i nevojshëm është nënshkruar”, tha Zelensky në një video-mesazh të postuar në rrjetet sociale.

Kjo vjen pasi raportet në mediat amerikane pretendonin se presidenti Joe Biden u tha liderëve të vendeve aleate perëndimore se Rusia mund ta sulmojë Ukrainën më 16 shkurt.

“Atë ditë, ne do të lëkundim flamujt tanë kombëtar, do të veshim shiritat tanë verdhë e blu dhe gjithë botës do t’i tregojmë unitetin tonë”, tha Zelensky.

Moska dhe Kievi janë përfshirë në një konflikt që kur armiqësitë në rajonin lindor Donbas shpërthyen në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë.

Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.

Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Kremlini po ashtu lëshoi një listë të kërkesave të sigurisë për Perëndimin, përfshirë tërheqjen e dislokimit të trupave nga disa vende ish-sovjetike dhe garanci se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të anëtarësohen në NATO.

Kategoritë
BotaLajme