Ukraina: Trupat ruse u zbrapsën deri në 70 kilometra nga Kievi

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Motuzyanyk tha se ushtarët ukrainas kanë zbrapsur deri në 70 kilometra nga Kievi trupat ruse të cilat synon të hynin në kryeqytet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk njoftoi se ushtarët ukrainas kanë zbrapsur deri në 70 kilometra nga Kievi trupat ruse të cilat synon të hynin në kryeqytet.

Në një deklaratë, Motuzyanyk vuri në dukje se Kievi mbrohet mirë dhe se mbrojtjen e tij e kanë njësitë e përzgjedhura të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Ushtarët ukrainas kanë zbrapsur njësitë ruse deri në 70 kilometra nga kryeqyteti Kiev”, deklaroi Motuzyanyk i cili shtoi se pushtuesit në disa zona janë tërhequr deri në 35 kilometra.

Forcat e Armatosura të Ukrainës sot kanë rimarrë nga trupat ruse qytetin Trostyanets në rajonin Sumy dhe fshatin Poltavka në rajonin Zaporizhzhia.

Në anën tjetër thuhet se vazhdojnë luftimet intensive në qytetin Irpin i cili ndodhet në afërsi të kryeqytetit Kiev.

Kryetari i Bashkisë së Irpinit, Alexander Markushin tha: “Njësitë armike u përpoqën të sulmojnë qytetin Irpin nga tre drejtime, por ushtarët tanë zbrapsën këto sulme”.

Kategoritë
BotaLajme