Ukraina: Zelensky dhe Putin mund të takohen në Stamboll ose Ankara

“Data dhe vendi i takimit të krerëve të shteteve nuk dihen ende. Ka shumë të ngjarë që të jetë në Stamboll ose Ankara”, tha kryenegociatori i Ukrainës.

Presidenti i Partisë “Shërbyesit e Popullit” të Ukrainës, David Arakhamia, njëherësh kryenegociator në bisedimet me Rusinë, deklaroi se projekt-traktati i paqes është zhvilluar mjaftueshëm për konsultime të drejtpërdrejta ndërmjet liderëve të Ukrainës dhe Rusisë, është konfirmuar nga rusët dhe se takimi i udhëheqësve mund të jetë në Stamboll ose Ankara.

Arakhamia vlerësoi në kanalet televizive lokale situatën në negociatat Ukrainë-Rusi. Duke thënë se projekt-traktati i paqes i propozuar nga Ukraina gjatë negociatave në Stamboll është pranuar verbalisht nga rusët, përveç çështjes së Krimesë, Arakhamia tha:

“Pala ruse ka konfirmuar se projekt-dokumenti është zhvilluar mjaftueshëm për konsultime të drejtpërdrejta midis liderëve të Ukrainës dhe Rusisë. Tani detyra jonë është të çojmë çështjet që kemi prekur më parë në fazën përfundimtare dhe të përgatitemi për takimin e mundshëm të krerëve të shteteve”.

Duke kujtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka biseduar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin dhe ka deklaruar se janë të gatshëm të presin takimin e dy liderëve, Arakhamia tha se “Data dhe vendi i takimit të krerëve të shteteve nuk dihen ende. Ka shumë të ngjarë që të jetë në Stamboll ose Ankara”.

Kategoritë
BotaLajme