Ukrainë – Trupat ruse zmbrapsen në Luganks, çlirohet fshati Gremiaç

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës njoftoi të premten zmbrapsjen e forcave ruse disa kilometra në Lugansk dhe çlirimin e fshatit Gremiaç në provincën e Çernigovit.

“Ushtarët tanë kryen një kundërsulm të suksesshëm në Lugansk dhe forcat armike u zmbrapsën disa kilometra. Fshati Gremiaç në provincën e Çernigovit u çlirua nga pushtuesit rusë”, deklaroi Ministria përmes një deklarate të shkruar.

Deklarata gjithashtu raportoi se forcat speciale ukrainase kapën disa sisteme të mbrojtjes ajrore në gjendje funksionale nga forcat ruse.

Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës dha informacione për humbjet e ushtrisë ruse midis 24 shkurtit dhe 8 prillit.

“Rreth 19.000 ushtarë të njësive ruse që sulmuan Ukrainën u vranë. Po ashtu 150 avionë, 135 helikopterë, 700 tanke, 1.891 mjete të blinduara, 333 armë të rënda, 108 sisteme raketahedhës dhe 55 sisteme të mbrojtjes ajrore të rusëve u shkatërruan”, bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase duke shtuar se forcat ruse humbën po ashtu 1.361 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta, 76 autobote karburanti dhe 112 dronë.

Kurse zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, informoi se 4.676 civilë u evakuuan të enjten në zona të sigurta përmes korridoreve të ndihmës humanitare.

Pasi vuri në pah se 3.256 civilë nga Mariupoli dhe Berdiansku, provinca ukrainase nën bllokadën e forcave ruse, kaluan në Zaporizhie me autobusë dhe makina private, Iryna Vereshchuk tha edhe se 1.420 njerëz nga qytete të ndryshme të provincës së Luhanskut mbërritën në zonat e sigurta.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se numri i sulmeve ndaj qendrave shëndetësore në Ukrainë, ku vazhdojnë sulmet e Rusisë vazhdojnë që prej 24 shkurtit (2022), ka shkuar në mbi 100.

OBSH-ja raportoi përmes një komunikate me shkrim se qendrat shëndetësore kanë qenë në shënjestër të 103 sulmeve ruse që nga fillimi i luftës, 89 prej të cilave kanë prekur objektet shëndetësore dhe 13 autoambulancat ose mjetet e transportit mjekësor.

  • Kremlini: Rusia ka humbur një numër të konsiderueshëm ushtarësh në Ukrainë

Zëdhënësi i Pallatit Presidencial të Rusisë (Kremlinit), Dmitriy Peskov, tha se ata humbën një numër të konsiderueshëm ushtarësh në sulmet e tyre në Ukrainë.

Në një intervistë për “Sky News”, Dmitriy Peskov mohoi se trupat ruse kishin vrarë civilë.

Duke pretenduar se imazhet satelitore dhe fotografitë që tregojnë kufomat e civilëve në rrugët e Ukrainës janë “të rreme”, Peskov tha: “Ne hedhim poshtë pretendimet se ushtria ruse mund të ketë ndonjë gjë të përbashkët me brutalitetin e trupave në rrugët e Buça”.

I pyetur se sa civilë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Peskov tha se nuk donte të përgjigjej sepse ata “nuk mund të konfirmonin shifrat”.

Kurse pyetjes se sa ushtarë rusë u vranë, Peskov nuk i dha një numër të saktë, por tha: “Kemi humbur një numër të konsiderueshëm ushtarësh dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne”.

Duke vënë në dukje se Kremlini dëshiron ta shohë luftën të mbaruar, Zëdhënësi Peskov tha: “Ushtria jonë po bën çmos për t’i dhënë fund këtij operacioni.”

Zëdhënësi i Kremlinit shprehu shpresën se ky operacion do të arrijë objektivat e tij në ditët në vijim ose në një të ardhme të parashikueshme, ose që lufta do të përfundojë me negociata ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase.

Ai theksoi se qëllimi kryesor i NATO-s është përballja me Rusinë dhe shtoi se Aleanca tani është më e fortë për shkak të pushtimit.

“Ne duhet të ribalancojmë situatën dhe të marrim masa shtesë për të garantuar sigurinë tonë. Sepse ne thellësisht besojmë se NATO është një makinë konflikti, jo një aleancë paqësore,” tha Peskov.

Dmitriy Peskov vuri në dukje se në rast se Finlanda dhe Suedia bashkohen me NATO-n, “Rusisë do t’i duhet ta bëjë krahun e saj perëndimor më të sofistikuar për të garantuar sigurinë e saj”.

I pyetur për thirrjet që presidenti rus Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte, Peskov tha: “Ne nuk e shohim këtë si një mundësi, nuk e shohim si një mundësi realiste”.

Ukraina pretendon se Rusia ka humbur më shumë se 18.000 ushtarë.

Kategoritë
BotaLajme